Linja ajrore bjelloruse Belavia njoftoi sot se me kërkesë të autoriteteve turke, nuk do të lejojë qytetarët e Irakut, Sirisë dhe Jemenit të udhëtojnë nga Turqia në Bjellorusi. Belavia njoftoi se vendimi do të hyjë në fuqi sot.
Sipas Bashkimit Europian, Bjellorusia po inkurajon mijëra njerëz që të largohen nga zonat e shkatërruara të luftës duke kaluar kufirin. Por një veprim i tillë mund të nxisë sanksione të reja ndaj Minskut dhe linjave ajrore që dërgojnë emigrantë në ato vende.
BE-ja ka akuzuar Bjellorusinë për kryerjen e një “sulmi hibrid”, ndërsa aleati i Kremlinit, Bjellorusia ka paralajmëruar se kriza mund të përshkallëzohet në një konfrontim ushtarak.
“Sipas vendimit të autoriteteve kompetente turke, nga data 12.11.2021 shtetasit e Irakut, Sirisë, Jemenit nuk do të udhëtojnë nga Turqia në Bjellorusi”, thuhet në një deklaratë të postuar në uebsajtin e Belavia.
Belavia, të cilës i është ndaluar të fluturojë mbi hapësirën ajrore të BE-së, pas uljes së një avioni në fillim të këtij viti, vazhdon të operojë në destinacione të tilla si Egjipti, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe, Armenia, Gjeorgjia, Azerbajxhani, Uzbekistani dhe Kazakistani, raporton abcnews.al
Në këtë kontekst, Lukashenko kërcënoi dje Europën se do të ndalonte furnizimin me gaz.
“Nëse na vendosen sanksione të reja, ne do të përgjigjemi,” tha Lukashenko, duke iu referuar mbylljes së një tubacioni gazi që kalon nga Bjellorusia.
“Europa po ngrohet nga gazi ynë ndërsa ata ende po kërcënojnë se do të mbyllin kufijtë tanë. Po sikur të mbyllim tubacionit e gazit? “Prandaj, unë do t’i rekomandoja udhëheqjes polake, lituanezëve dhe njerëzve të tjerë pa tru të mendojnë para se të flasin,” tha Lukashenko.
Të mërkurën, presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen tha se BE do të vendosë sanksione të reja kundër Bjellorusisë javën e ardhshme. Vendimi pritet të merret të hënën, në takimin e ministrave të jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së.
/abcnews.al