Grabitja e armëve, jepet masa për 4 ushtarakët

schedule10:26 - 14 Janar, 2019

schedule 10:26 - 14 Janar, 2019

Katër ushtarakët e akuzuar për shkelje të rregullave të shërbimit, pas grabitjes së tre pushkëve dhe municioneve luftarake, u lanë në burg nga Gjykata e Vlorës. Megjithëse mbrojtja kërkoi masë më të ulët, gjyqtari vendosi të njëjtën masë sigurie, që kishte kërkuar edhe prokuroria.

Dy rojet dhe dy përgjegjësit u lanë në burg për grabitjen e bazës ushtarake të Pashalimanit. Ata akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “dëmtim të aseteve ushtarake”. Ushtarakët e arrestuar për ngjarjen janë; Lesko Ramosaçaj 52 vjeç e Edlir Nelaj, 42 vjeç, përgjegjës; Ervis Memsulaj, 23 vjeç dhe Ardit Ramaj, 25 vjeç roje. Avokatët mbrojtës kërkuan gjatë seancës një masë sigurie më të lehtë për të katër të arrestuarit, detyrim paraqitje. Për ta, depoja e armatimeve nuk ka as kushtet më minimale të sigurisë. Në vendin e qëndrimit të rojës mungon ndriçimi, por edhe kamerat e sigurisë prej kohësh.

Grabitja ndodhi në orët e para të së enjtes së kaluar. Roja nuk ishte në vendin e qëndrimit që ishte përcaktuar dhe deklaroi në sallë se u largua për shkak të shiut dhe erës së fortë. Kurse përgjegjësit akuzohen se nuk kontrolluan rojet gjatë shërbimit dhe hartimin e procesverbalit pa qenë prezent. Disa orë pas ngjarjes përgjegjësit dhe rojet u arrestuan dhe  gjyqtarja Herila Çela caktoi të njëjtën masë sigurie që kërkoi prokurorit Hyrjet Lamaj atë të arrestit me burg. Por ndërsa katër vetë janë në burg për shpërdorim të detyrës, asnjë person nuk është arrestuar për vjedhjen e armatimeve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!