Tahiraj kalon tek Hajduku Splitit

schedule18:58 - 12 Janar, 2019

schedule 18:58 - 12 Janar, 2019

Françesko Tahiraj do ta vazhdojë karrierën në Kroaci. Sulmuesi shqiptar do të largohet nga Sllovenia, për të luajtur me Hajdukun e Splitit.

Golat e tij tërhoqën vëmendjen, siç edhe pritej. Françesko Tahiraj, shqiptari i lindur në Itali, do të braktisë futbollin slloven, për të kaluar pak më në jug, në Kroaci. Sulmuesi 22-vjeçar, që luajti për një sezon e gjysmë me Aluminij të Kidriçevës në Superligën e Sllovenisë, do të jetë lojtar i Hajdukut të Splitit, klubit të dytë më të madh kroat.

Gazeta e Splitit, “Sllobodna Dalmacija”, informon se Tahiraj ka kaluar vizitën mjekësore me Hajdukun, dhe se pritet të bashkohet me “të bardhët” në fazën përgatitore të dimrit në Belek të Turqisë. Trajneri Oreshçanin pret që djaloshi i lindur në Torino, të jetë një mundësi më shumë për skuadrën e tij që synon të luajë sezonin e ardhshëm në Ligën e Europës.

Fillimisht, Tahiraj ishte pranë Dinamos së Zagrebit, madje trajnerit Bjelica i thanë se ishte punë e përfunduar, veçse kjo marrëveshje nuk u krye. Megjithatë, nga Sllovenia, thonë se 22-vjeçarin nuk do ta lejojnë të largohet.

Gazeta “Ekipa 24” shkruan se klubi nga Kidriçevo deklaron se do të përpiqen ta mbajnë sulmuesin deri në fund të sezonit. Tahiraj e nisi karrierën në akademinë e Juventusit, kaloi tek Torino, dhe u huazua te Karpi gjithnjë në Itali, por suksesin e gjeti në Slloveni, fillimisht tek Zavërci dhe pastaj tek Aluminij.

Gjatë fazës së parë të kampionatit luajti 18 ndeshje, shënoi 9 gola, dhe shërbeu 4 pasime për gol. Ai shpreson që në Kroaci të vëzhgohet nga trajneri i kombëtares Panuçi dhe të veshë fanelën kuqezi./abcnews.al