Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet për rikonstruksionin e konvikteve te Universiteti i Mjekësisë dhe bisedoi me studentët për problemet e tyre. Veliaj tha se konviktet do të jenë gati në muajin tetor të këtij viti.
Teksa studentët protestojnë prej javësh për arsimin dhe kushtet në konvikte, kryebashkiaku Veliaj ka inspektuar punimet që po kryhen në godinat e konviktit të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë. Gjatë inspektimit të punimeve, Veliaj ka shfrytëzuar rastin të bashkëbisedojë edhe me studentët në lidhje me kushtet në konvikte
“Qendrat studentore sapo i kanë kaluar Bashkisë së Tiranës, prandaj si çdo gjë që Bashkia e Tiranës prek me dorë, sigurisht që edhe ato do të shkëlqejnë. Ka filluar rikonstruksioni i konvikteve te Inxhinieria, që sot janë dita me natën”.
Më tej Veliaj tha se janë larguar zaptuesit që prej vitesh shfrytëzonin këto mjedise për qëllime biznesi.
“Kemi nxjerrë jashtë rezidencës të gjithë zaptuesit politikanë, të cilët këtej frymëzojnë protestat, ose mundohen t’i përdorin dhe keqpërdorin ato, dhe këtej gëzojnë të mirat materiale të mjeljes së studentëve. Ambienti do t’i kthehet studentëve, përfshi edhe kafen dhe gjithë hapësirat e nevojshme për argëtim”.
Në vëmendjen e bashkëbisedimit të studentëve me kryebashkiakun Erion Veliaj ishte edhe diskutimi për kartën e studentit.
“Me ligjin e ri, universitetet u bënë publike dhe të pavarura nga shteti. Pra, caktuan një administrator dhe me ligjin e ri, çdo universitet duhet të prodhojë kartën e tij. Do të thotë se çdo universitet duhet të bënte kartën e tij. Ne nuk na mungon aftësia për të prodhuar karta, por problemi është: kjo kartë e bashkisë, në cilin universitet vlen”?
Kryebashkiaku Veliaj tha se Bashkia e Tiranës do të jetë gjithmonë me studentët për t’ju ofruar atyre shërbimet e nevojshme./abcnews.al