Mjekja Albana Daka në rubrikën “Abc-ja e shëndetit” në emisionin e mëngjesit shpjegoi se menopauza është një proces i natyrshëm që përfshin ndryshime fiziologjike, fizike dhe psikologjike. Zakonisht ndodh rreth moshës së mesme por mund të ndodhë dhe më herët për shkak të problemeve malinje. Mjekja shpjegoi se shenjat e para janë ndryshimet në ciklin menstrual, ndryshimet në humor, pagjumësinë por dhe depresion.
“Kur themi herët fillon para moshës 45-vjeçare, normalja ndodh rreth moshës 50-55 vjeç dhe faza e vonshme ndodh pas moshës 55 vjeçare. Sa më vonë të ndodhë aq më mirë është për organizmin. Kemi atë që quhet menopauzë e induktuar për shkak të problemeve malinje që ndodh dhe para moshës 45-vjeçare.
Boshti kryesor është ulja e dy hormoneve estrogjenit dhe progesteronit. Shenjat e para që një grua ka, fillon me atë që quhet mungesa e ciklit, afshet e menopauzës dhe skuqja në pjesën e dekoltesë, djersitje shumë e madhe e shoqëruar me pagjumësi, nervozizëm. Në disa raste mund të kemi dhe depresion. Suporti psikologjik duhet të jetë i madh.
Në disa raste shoqërohet dhe me infeksione urinare, por rast pas rasti, ajo që ndodh, jo vetëm në traktin fertil por me uljen e estrogenit, kemi dhe ndryshim të formës trupore. Nëse themi atë që quhet obezitet genoid, forma e dardhës së trupit, ku dhjami është në pjesën anësore, në menopauzë spostohet në formë molle dhe dhjami formohet në bark.“, shpjegoi Daka.
Sipas mjekes, me uljen e hormonit të estrogjenit, gratë kanë tendencë për mbipeshë dhe obezitet. Ajo theksoi se rritet gjithashtu dhe rreziku për sëmundje kardiovaskulare, prandaj duhet të fillojnë kontrollet rutinë te kardiologu. Më tej, Dr. Albana shpjegoi kujdesin që duhet treguar me regjimin ushqimor.
“Regjimi ushqimor ka rëndësi të madhe gjatë menopauzës sepse ndryshimi i niveleve të hormoneve bëjnë që kalciumi të dalë nga kockat. Duhet të rrisim kalciumin. Kemi tendencë për të bërë obezitet. Duhet të menaxhojmë nivelin e kalciumit, të vitaminës D, kalciumin, nivelin e vitaminës D, pasi janë dy elementë që mbajnë kockat në ekuilibër.
Duhet të tregojmë kujdes në yndyrat e saturuara që mbajnë nivelin e yndyrave në kontroll, të kemi nivel të ulët të sheqerit në gjak. Produktet e përpunuara nuk duhet të jenë pjesë e regjimit ushqimor. Kur kemi qenë në një regjim abuzues me produkte shtazore, duhet të kalohet për një kohë në regjim vegjetarian. Regjimi duhet të ketë perime jeshile që kanë nivele të larta kalciumi.
Të përdorin bulmetrat por të jemi të sigurt që kanë nivele të ulëta yndyre. Duhet një regjim mesdhetar, hipokalorik, më me pak kalori se më parë pasi organizmi ka nevojë për 300 kalori më pak se më parë. I rëndësishëm dhe aktiviteti fizik. Në disa raste përdoret dhe ajo terapi suportive me hormone për t’i mbajtur në normë. Por këto terapi janë vendimi i gjinekologut dhe të jetë i mirë monitoruar sepse kur kemi një predispozitë për sëmundje malinje, mund ta përshpejtojnë këtë proces.“, theksoi Daka.
/abcnews.al