Maqedoni, parlamenti voton ndryshimet kushtetuese të “Prespës”

schedule19:43 - 11 Janar, 2019

schedule 19:43 - 11 Janar, 2019

Parlamenti i Maqedonisë ka votuar pasditen e së premtes, me 81 vota pro ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, e arritur Qershorin e kaluar mes Athinës dhe Shkupit.

Votimi është mbajtur pasi më herët, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev arriti një marrëveshje me partinë shqiptare Besa që në ligjin kushtetues të mos renditen përcaktimet e shtetësisë. Në bazë të marrëveshjes, për maqedonasit do të përdoret termi “makedonsko”, ndërsa për shqiptarët dhe etnitë e tjera do të përdoret prapashtesa “e Maqedonisë”.

Gjithashtu, akordi i arritur parashikon që edhe në letërnjoftime të përcaktohet përkatësia etnike. Një gjë e tillë është pranuar edhe për diasporën. Gjatë seancës, deputetët e përjashtuar të VMRO-DPMNE-së deklaruan se kjo parti do të mbajë përgjegjësi për mospjesëmarrjen në këtë zhvillim historik për vendin. Ndërkohë, jashtë selisë së Parlamentit lëvizja “Maqedonia Bllokon” mbajti një tjetër protestë kundër ndryshimeve, por pa mundur të ndikojë në bllokimin e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!