Efektivi i policisë që shty gazetaren Anila Hoxha dhe një operator drejt një greminë në Dajt është pezulluar nga detyra.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njofton mbrëmjen e së shtunës se punonjësi u pezullua menjëherë nga detyra ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ka urdhëruar Drejtorinë e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e hetimit administrativ me qëllim sqarimin e rastit.
NJOFTIMI
“Në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë pasditen së sotme me disa gazetarë, në Qafë Mollë, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e policisë Sh.T. Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ka urdhëruar Drejtorinë e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e menjëhershëm të hetimit administrativ me qëllim sqarimin e rastit. Policia e Shtetit i konsideron marrëdhëniet me median si prioritare në funksion të mirë-informimit të publikut dhe është e vendosur për të ndëshkuar çdo punonjës police që performon sjellje të pahijshme duke shpërdoruar detyrën në dëm të imazhit të Policisë së Shtetit dhe cënimit të marrëdhënieve me mediat e qytetarët.”
Lexo edhe: Efektivi në Dajt shtyu përfaqësuesit e medias, reagon SHÇBA
Kujtojmë se incidenti ndodhi këtë pasdite në Qafë Mollë, në vendin ku u gjet i pajetë trupi i biznesmenit Ruzhdi Hoxha. Terreni ku u gjet trupi i viktimës është disi i vështirë dhe efektivi i policisë ka rrezikuar edhe jetën e gazetares dhe operatorit të saj që ndodheshin pranë shiritit të verdhë.
“E tensionuar, gazetarja dëgjohet që t’i drejtohet efektivit: “Polic je ti ore? Shtyn gazetarët si injorant. Nuk të vjen turp. Ti nuk je polic. S’e keni fajin ju, fajin e kanë ata që ju mbajnë në punë…Do të denoncoj…”
Nga sa dëgjohet edhe nga fjalët e gazetares edhe operatori është lënduar.
Biznesmeni Ruzhdi Hoxha, i cili ishte shpallur i zhdukur për 13 ditë, u gjet ditën e sotme i pajetë në një humnerë në zonën e Qafë Mollës në Dajt.
ABC mëson se trupi i viktimës është gjetur i mbuluar me zhavorr ndërkohë që ka qenë gjysmë i dekompozuar. Kjo vërteton se ai mund të jetë vrarë që në ditën e parë të zhdukjes së tij rreth dy javë më parë. Një numër i madh mediash ndodhen ditën e sotme në vendin e ngjarjes për të mbuluar rastin, dhe ndërsa gazetarët ishin mbledhur pranë shiritit të verdhë ka ndodhur edhe incidenti. /abcnews.al/