Pesë milionë viktima nga pandemia në mbarë botën janë shifra të frikshme dhe të trishta. Ajo që është edhe më shqetësuese është se 5 milionë viktima ndoshta nuk janë shifrat reale pasi numri i vdekjeve është ndoshta dy ose tre herë më shumë seç është raportuar.
Një matës jetik është vdekshmëria e tepërt, diferenca midis numrit të vëzhguar të vdekjeve nga të gjitha shkaqet dhe asaj që normalisht mund të pritej në të njëjtën periudhë kohore, pa pandeminë. Është një vlerësim, por ndihmon në kuptimin e shtrirjes reale të fatkeqësisë dhe njohja e kësaj është thelbësore për përgatitjen e pandemisë së ardhshme.
Në veçanti, të kuptosh vdekshmërinë e tepërt mund të ndihmojë në identifikimin e dobësive në sistemet e shëndetit publik, të cilat shpesh ishin në kaos dhe të paafta për të përballuar ngarkesën për shkak të koronavirusit.
Nënvlerësimi vdekjeve nga Covid-19 vjen për disa arsye. Shumë njerëz kanë vdekur nga Covid pa u regjistruar si të tillë. Në fillim të këtij viti, Organizata Botërore e Shëndetësisë vuri në dukje se ndërsa kombet europiane regjistruan zyrtarisht 98 për qind të vdekjeve, në Afrikë vetëm rreth 10 për qind janë regjistruar si të tilla. Për më tepër, shumë kombe ndryshojnë në testimin dhe diagnostikimin e Covid, kështu që mund të ketë shumë viktima që nuk janë identifikuar siç duhet, raporton abcnews.al
Për më tepër, Covid u përhap aq shpejt saqë shumë njerëz që vuanin nga sëmundje të tjera nuk u trajtuan dhe vdiqën, kur rezultati mund të kishte qenë i ndryshëm në rrethana normale. Sipas The Economist, një ndër revistat e para që dha lajmin se bota ka kaluar mbi 5 milionë viktima, në fakt numri i vërtetë besohet të jetë 16.8 por sigurisht ekziston mundësia që vlera e vërtetë të jetë midis 10.3 dhe 19.6 milionë.
Në Shtetet e Bashkuara, numri zyrtar i vdekjeve nga Covid është rreth 747,000, sipas revistës, por vlerëson se realiteti është midis 860,000 dhe 1 milion. Instituti për Metrikën dhe Vlerësimin e Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit vlerëson se numri kumulativ – vdekjet e raportuara dhe të paraportuara të shkaktuara nga Covid është 11.9 milionë në mbarë botën, raporton abcnews.al
Disa vende kanë raportuar shumë pak viktima për shkak të Covid. Për shembull, sipas Economist, numri zyrtar i Kinës është rreth 4,600, por kjo është një pjesë e vogël e totalit të vlerësuar deri në 1.7 milion të vdekur. Numri zyrtar i Indisë është rreth 458,000, por vdekjet e vlerësuara janë diku midis 1.2 milion dhe 7.2 milion.
Numri real i viktimave është i vështirë për t’u kuptuar, edhe në shifrat zyrtare. Mbledhja e të dhënave, mbikëqyrja virale gjenomike dhe testimi diagnostik kanë nevojë për një përmirësim të madh në të gjitha nivelet e sistemeve të shëndetit publik, në mënyrë që kur të shfaqet një sëmundje, kundërmasat e nevojshme të jenë të shpejta dhe të sigurta.
/abcnews.al