Pas përballjes derbi mes Dinamos dhe Tiranës ditën e mërkurë në “Kupën e Shqipërisë”, dy skuadrat do të luajnë përsëri ditën e nesërme, por këtë herë në kuadër të javës së tetë të “Abissnet Superiore”.
Takimi mes Tiranës dhe Dinamos do të luhet në “Air Albania”, ora 19:45.
Në prag të kësaj ndeshje, trajneri Bledi Shkëmbi ka dalë para mediave, ku ka folur për sfidën kundër Tiranës, por nuk harroi të prekte edhe fitoren 2-0 kundër tyre në “Kupën e Shqipërisë”.
“Fitore në “Kupën e Shqipërisë” na jep më shumë moral dhe qetësi. Jemi të bindur që ndeshja e kampionatit ndryshon nga ajo e Kupës. Në futboll dëmtimet ndodhin, fat i keq për ne, por lojtarët që do të luajnë do të bëjnë mirë. Ne do të rritemi ditë pas dite, ndeshje pas ndeshje. Vazhdoj të them se kemi bërë një kampionat të mirë sa i përket lojërave, do të donim të kishim më shumë pikë. Kemi humbur pikë edhe për gabimet tona, por në fund të kampionatit çdo ekip do të marrë atë që meriton.
Nuk ka favorizim, nuk më intereson kush luan apo mungon te kundërshtari. Janë ekipe që kanë 20 lojtarë dhe lojtarët që luajnë duhet të bëjnë maksimumin.
Në futboll fusha tregon, Skuka bëri shumë mirë, por duhet të jemi të gjithë me këmbë në tokë. Ajo që bëri Skuka nuk është gjithçka, duhet të bëjë më mirë ai dhe gjithë ekipi.
Dy ndeshjet e fundit dhe atë të Kupës i cilësoj si ndeshjet më të mira, secili bën analizat e veta, por asnjë nuk e bën si trajneri analizën. Jam i bindur që çdo ndeshje që do të vijë do të jemi edhe më mirë. Dëgjoj që Tirana e nënvlerësoj ndeshjen e Kupës, por ata nuk po luanin me kalamajtë. Ishalla e nënvlerëson edhe nesër Tirana dhe të na shikojë si të vegjël. Nesër do të jetë një ndeshje tjetër, Tirana do të kërkojë të reagojë, por shpresoj që edhe ne të bëjmë më mirë”, deklaroi tekniku i “bluve”. /f.a/abcnews.al