Mungesa e fondeve dhe e parametrave të sigurisë ka bërë që Radio Televizioni i Preshevës të pezullojë transmetimin. Por pavarësisht këtyre problematikave, drejtuesit deklarojnë se pezullimi është një bllokadë e qëllimshme që vjen nga Beogradi.
Kjo është ndërtesa e Shtëpisë së Kulturës në Preshevë. Shumica e institucioneve kulturore e kanë këtu adresën. Radio Televizioni i Preshevës nuk mund t’i japë lajmet pasi televizioni është mbyllur në mungesë të planit për evakuim në rast zjarri. Shenur Jahiu, nga Televizioni i Preshevës tashmë nuk shkon çdo ditë në punë. Në pritje të rifillimit, ai thotë se kjo nuk ndodh për herë të parë.
“Kjo është një qasje tendencioze nga ana e zyrtarëve qeveritarë të Serbisë pasi të njëjtin sistem nuk e kanë të instaluar edhe institucionet republikane, por ato vazhdojnë punojnë normalisht”, tha ai.
Në Luginën e Preshevës kjo ka ndikuar në mbylljen e më shumë institucioneve. Për shqiptarët këtu, ky vendim është i paarsyeshëm. Punëtorët për mungesë fondesh thonë se nuk marrin pagën prej një viti. Ata kërkojnë ndihmë nga Kosova dhe Shqipëria.
“E vetmja shpresë e të punësuarbe është që tanimë institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë, por edhe të Kosovës të ndërmarrin diçka sa më shpejt në mënyrë që të shpëtohet ky medium, i vetëm shqip në Luginën e Preshevës”, theksoi Jahiu.
Mbështetje publike kanë marrë nga trojet shqiptare, por jo edhe shumë ndihmë konkrete. Televizioni i Preshevës, në pritje edhe të fondeve, deri në hapje lajmet i pret jashtë studiove./abcnews.al