Shkëmbi: Kupa? Objektiv për të arritur Europën, e vështirë ndeshja me Tiranën, por jo e pamundur

schedule16:03 - 2 Nëntor, 2021

schedule 16:03 - 2 Nëntor, 2021

Dinamo do të zhvillojë derbin e parë kundër Tiranës pas thuajse një dekade. Një ndeshje derbi mes dy skuadrave, është e vlefshme për turin e dytë të “Kupës së Shqipërisë”, e cila do të zhvillohet ditën e nesërme, në stadiumin “Air Albania”, ora 16:45.

Në konferencën për shtyp, trajneri Bledi Shkëmbi, tregoi se do të jetë e vështirë të mposhtin “bardh e blutë”, por asgjë nuk është e pamundur. Sipas teknikut të Dinamos, kupa është një  rrugë më e lehtë për të arritur në Europë.

“Është një objektiv, ndoshta edhe më i thjeshtë për të shkuar në Europë, me përqëndrim dhe dëshirë duke pasur parasysh edhe kundërshtarin. Duhet një vlerësim special, për të dhënë maksimumin dhe për të kaluar turin.

Mendoj se do të kemi dy apo tre mungesa, se janë ndeshjet afër njëra-tjetrës por janë gjëra normale. Shpresojmë deri nesër të rikuperojmë edhe ndonjë lojtar. Sofranac nuk do të jetë për këto dy ndeshje, do të donim ta kishim, por do të mundohemi me ata që kemi në dispozicion që të mos ndihet mungesa. Janë dy ndeshje derbi që nuk mund t’i ndajmë, si me Partizanin që ishim të motivuar dhe bëmë mirë, të njëjtën gjë duam edhe nesër ndaj Tiranës.

Kemi parasysh se Tirana po kalon një moment të mirë, do jetë e vështirë por jo e pamundur. Do jetë një test për ndeshjen e pas tre ditëve në kampionat dhe mendoj që të dyja skuadrat do të kërkojnë më të mirën për të qenë në gjendje të mirë psikologjike në kampionat. Jam i përqëndruar te ekipi im dhe te mungesat që mund të kemi”, deklaroi Shkëmbi. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!