Kreu i KLP-së: SPAK do sjellë risi në hetime

schedule20:23 - 8 Janar, 2019

schedule 20:23 - 8 Janar, 2019

E hëna ishte një ditë e rëndësishme për KLP-në pasi u hap vakanca për kandidatët e SPAK-ut. I ftuar në ABC News, kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, bëri një panoramë se si do të konkurrohet për vendet e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion.

“Dje u hodh mendimi për 15, i cili në fund prevaloi. Ne kemi një detyrim kushtetues që kur duhet të fillojë të funksionojë Prokuroria e Posaçme duhet të ketë të paktën 10 prokurorë të emëruar. Kjo është dyshemeja, poshtë të cilës nuk mund të shkojmë. Ne vendosëm përkohësisht për 15 (prokurorë) për dy arsye. E para sepse duam të emërojmë më pak seç do të kemi kandidatë që të rrisim konkurrueshmërisë dhe e dyta duhet pasur parasysh se pasi të krijohet SPAK, numrit për drejtimin e kësaj zyre do t’i përkasë drejtuesit të zyrës, i cili në koordinim me KLP, duhet të arrijë në përfundim se kush është numri i përshtatshëm për zyrën duke pasur ngarkesën me të cilën do përballet”, tha ai.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do jetë struktura që do vlerësojë performancën e prokurorëve të SPAK, por nuk do të ketë mundësi t’i transferojë ata.

“Padyshim që SPAK-u do sjellë risi se si bëhet hetimi i krimit, korrupsionit në këtë vend, për arsye shumë të thjeshta. Disa mund të mendojnë me të drejtë se aty janë të njëjtët prokurorë, por jam i bindur se i njëjti njeri në kushte të ndryshme mund të shfaqë fytyra të ndryshme dhe shfaqje të ndryshe përsa u takon kapaciteteve por edhe vlerave të tij njerëzore.

Këta prokurorë do kenë një mandat 9-vjeçar. Gjatë këtyre viteve KLP-ja nuk mund të transferojë këta prokurorë, t’i hedhë nga një cep në tjetrin e të ndërpresë punën e tyre, metoda që janë praktikuar në sistemin e prokurorisë. KLP i kontrollon. Ne do bëjmë vlerësimin e performancës së prokurorëve”, u shpreh Ibrahimi.

Ibrahimi u shpreh edhe Prokurorit të Përgjithshëm. Sipas tij, procesi për zgjedhjen e Prokurorit nis në Mars. Ai tha gjithashtu se Arta Marku ka të drejtë të rikandidojë.

“Këtu gjërat janë më të qarta. Si fillim ka një kërkesë ligjore që bashkë me thirrjen pëer aplikime, të nxjerrim dhe metodën që do vlerësojmë kandidatët. Për këtë ligji na jep 3 muaj kohë. Në Mars do jemi gati për metodologjinë dhe pastaj do nxjerrim thirrjen. Pastaj kandidatët do kenë rreth një muaj kohë në dispozicion. Dhe ne do kemi kohë për të vlerësuar.

Arta Marku ka të drejtën të rikandidojë. Natyrisht që kur të ulemi të mendojmë për çdo kandidat do duhet të vlerësohen me pikë dhe eksperiencat e mëparshme të punës. Secila do marrë pikët e veta. Padyshim që të shërbesh njëherë si prokuror të jep një avantazh, por vlerësimi që ne do bëjmë do ketë disa komponentë. Rezultatet. Kjo është e vështirë për t’u kuantifikuar, por ne do të mundohemi”, theksoi Ibrahimi./abcnews.al