Rikthehet pas 5 ditësh uji në Krujë, banori: Gjëja e parë që bëra ishte një dush

schedule21:46 - 28 Tetor, 2021

schedule 21:46 - 28 Tetor, 2021

Pas pesë ditësh ndërprerje në Krujë ka rinisur furnizimi me ujë të pijshëm. Nëpër rubinetët e banesave uji është rikthyer në orën 20.00, por për momentin banorët janë këshilluar që ende të mos e përdorin për të pirë apo për të gatuar.

Një banor thotë për gazetarin Ahmet Zani se gjëja e parë që bëri me rikthimin e ujit ishte një dush. Ai tha po ashtu se deri më tani me ujë të pijshëm i kanë furnizuar punonjësit e bashkisë ose edhe e kanë blerë vetë.

Deri në një njoftim të dytë, banorët janë këshilluar që të mos e konsumojnë ujin.

“Uji ka ardhur, na kanë thënë mos me e pi. Me u la e me u shpla po, Nga ora 08.00 e darkës erdhi. Me pi ujë na ka dhënë sot bashkia, krejt punëtorët e bashkisë na kanë furnizu me ujë. Herë me bidonë e herë me lidhje. Na lajmëruan nga ora 18.00, na thanë që do të vijë. Kam mush kazanin kur erdhi, vumë lavatriçet. Unë kam pasur rezerva. Deri në një urdhër të dytë nuk do mund ta pinë.”

Ndërkohë, nga pamjet e siguruara nga Spitali i Krujës duket se pacientë të shtruar me simptoma nuk ka.

Më herët gjatë së enjtes Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur rezultatin e analizave të kampionit të ujit të marrë nga Kruja që çoi në helmimin e qindra qytetarëve.

ISHP ka dalë në përfundimin se uji kishte prani të bakterit “enterokok”. Kjo sipas tyre ka ardhur për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe përzierjen e ujërave.

“Eshtë një epidemi e shkaktuar nga uji si rezultat i ndotjes së ujërave sipërfaqësore të shirave të rëna para pak ditësh dhe që kanë bërë interseptimin me ujërat e pijshëm të ujësjellësit të Krujës. Këto janë rezultatet zyrtare”, deklaroi Ulqinaku. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!