Aksioni anti-drogë në Lezhë, shoqërohen dy persona

schedule19:04 - 28 Tetor, 2021

schedule 19:04 - 28 Tetor, 2021

Vijon aksioni anti-drogë në Lezhë, ku ABC mëson se janë shoqëruar dy persona. Të shoqëruarit do të merren në pyetje dhe do të hetohen nëse kanë lidhje me trafikun dhe mbjelljen e drogës në këtë zonë.

Ndërkohë më herët, gjatë kontrolleve ditën e sotme është gjetur një sasi e konsiderueshme kanabis në një shtëpi të braktisur në fshatin Manati.

Aktualisht policia po kryen kontrolle si dhe po punon për të identifikuar poseduesit e lëndës narkotike.

Aksioni kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës në këtë qark ka nisur pak ditë pas vrasjes së vrasjes së nënkomisartit Saimir Hoxha i cili u qëllua për vdekje nga i riu Aldi Rama teksa po kthehej pas asgjësimit të një parcele me kanabis në zonën e Kune Vainit.

8 ditë më parë, me urdhër të prokurorisë së posaçme në qarkun e Lezhës u lëshuan 20 urdhra-ndalimi mes të cilëve edhe 5 efektivë policie. Bëhej fjalë për një grup që merrej me kultivimin e kanabisit, kryesisht në zonat malore të Lezhës. Operacioni, i cili nisi mbrëmjen e se mërkurës, (20 tetor 2021) përfundoi në orët e para të së enjtes (21 tetor) pasi policia nuk mundi të ekzekutonte të gjitha urdhrat e arrestit të dhëna nga SPAK.

Ky grup i kultivimit të kanabisit që u godit nga SPAK pas një hetimi 1 vjeçar, nxori zbuluar 4 policë, dhe nënkomisarin e policisë së Pukës Kastriot Bicukaj, të cilët lejuan kultivimin e 4 mijë rrënjëve të kanabisit dhe dekonspironin aksionet. Ndërkohë hetimet po vazhdojnë në kuadër të dokumentimit të veprimeve të disa punonjësve të policisë gjyqësore, pasi dyshohet për përfshirje të tyre në këtë veprimtari kriminale. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!