Maxhoranca ka braktisur mbledhjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit pas debateve me opozitën. Që në nisje të mbledhjes palët kanë pasur mosdakordësi sa i takon rregullores për mbarëvajtjen e punës.
Pas shumë debateve, dhe pasi arritën të miratonin rendin e ditës, PS-ja është larguar nga mbledhja. Ndërkohë përfaqësuesit e opozitës e kanë vijuar mbledhjen vetëm derisa maxhoranca është rikthyer sërish pas disa minutave.
Diskutimet para largimit të përfaqësuesëve të PS:
Klotilda Bushka: Kam kërkuar të drejtën time të shpjegoj votën kundër. 5 minuta pushim atëherë meqë doni të vazhdoni përsëri në shkelje
Enkelejd Alibeaj: Këtë komision e drejtoj unë dhe i kam dhënë fjalën Bardhit për të vazhduar
Tonin Gogu: Kërkoj 5 minuta pushim që mbledhja të vijë në kufijtë e ligjshmërisë
Enkelejd Alibeaj: Të mos e konsiderojmë si ikje këtë, është kërkesë e pastër për ta bojkotuar
Socialistët në Komisionin Hetimor të drejtuar nga zv.kryetari Toni Gogu kanë kërkuar 5 minuta pushim dhe janë larguar nga salla. Zv.kryetari socialist Toni Gogu në fillim të mbledhjen i kërkoi kryetarit demokrat Enkelejd Alibeaj të “mbledhë veten dhe të vëjë rregull” në punimet e komisionit, por Alibeaj iu përgjigj së “nuk kam fuqi të mbinatyrshme t’u mbledh dot ju’.