Nancy Pelosi: Nuk do të jetë e lehtë puna me republikanët

schedule15:08 - 4 Janar, 2019

schedule 15:08 - 4 Janar, 2019

Nancy Pelosi, kryetarja e Dhomës së Deputetëve amerikanë, në fjalimin e saj të parë u shpreh se presidenti amerikan duhet të respektojë  të vërtetën. Duke pranuar se bashkëpunimi me republikanët do të jetë i vështirë, ajo bëri të qartë se do të priten përfundimet e hetimeve të prokurorit special Mueller, për të vendosur qëndrimin që do mbahet ndaj presidentit amerikan Trump.

Kryetarja e re e Dhomës së Deputetëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi, deklaroi se demokratët do të presin dhe do të vlerësojnë përfundimet e hetimeve të prokurorit special Robert Mueller për Russiagate, para se të vendosin nëse do të nisin procedurat për “impeachment” ndaj presidenti Donald Trump. Hipoteza për të parë të dënuar një president në fuqi, dicka e paprecedentë deri tani, mund të mos jetë dhe aq e parealizueshme.

Mbi kreun e Shtëpisë së Bardhë rëndojnë dhe disa hetime të tjera si ai për fondacionin apo dhe për shkeljen e ligjit elektoral si dhe për pagesën ndaj një aktorjeje pornografike për të mos kompromentuar fushatën e tij elektorale. Pelosi në fjalimin e saj të parë nga ky post ka kërkuar respekt reciprok mes palëve duke shtuar se bashkëpunimi me republikanët nuk do të jetë i lehtë. Ajo i ka kërkuar presidentit amerikan që të respektojë të vërtetën.

Në një intervistë të mëparshme ajo kishte bërë të qartë se demokratët nuk do të ndërmarrin procedurat për “impeachment” për arsye politike. Liderja demokrate theksoi se përfundimet e prokurorit special Mueller janë shumë të rëndësishme për të vendosur hapat e radhës. Ajo pranoi se rrëzimi i një presidenti në fuqi do të shkaktonte përçarje në vend dhe do të ishte e trishtueshme.

Duke rimarrë sërish mazhorancën në Dhomën e Deputetëve, pas zgjedhjeve të mesit të mandatit, demokratët kanë numrat e duhur për herë të parë që nga zgjedhjet presidenciale të 2016-s, për të nisur procedurën e “impeachment”. Por duke marrë parasysh dominimin e republikanëve në Senat, kjo procedurë do  të mbetej përgjysëm. Për ta realizuar duhet mazhoranca e thjeshtë në dhomën e deputetëve dhe më pas dy të tretat e votove në Senat. Nancy Pelosi është gruaja e parë që është emëruar kryetare e dhomës së deputetëve, është nga të paktat që ka mbajtur këtë post për dy mandate radhazi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!