Mbledhja e grupit të PD-së është shoqëruar sërish me debate. Gazetari i ABC, Juxhin Mustafarj raporton se deputeti Tomorr Alizoti ka pasur një përplasje me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Alizoti i ka tërhequr vëmendjen kreut të PD-së duke iu drejtuar se nuk mund të sillen brenda partisë sikur nuk ka ndodhur asgjë, në një kohë sipas tij që ka “rënë zjarr”.
“Në anije ka rënë zjarr, ne nuk mund të sillemi si në situatë normale” ka thënë Tomor Alizoti.
Ndërkohë, Alizoti i ka kërkuar Bashës që të mos pengojë deputetët në zgjedhjet e tyre që bëjnë, pasi sipas tij përplasja është mes Sali Berishës dhe vetë kreut të PD-së.
“Kjo që po ndodh është një përplasje mes teje dhe Sali Berishës. Ti nuk duhet të pengosh deputetet të shkojnë në foltore. Nëse nuk shkon në foltore të kryqëzojnë demokratët, nëse shkon të kryqëzoni ju. Askush s’ka pse futet në këtë përplasje.”
“Ne rrezikojmë ekzistencën si parti nëse nuk e adresojmë në institucione këtë problem. Mos bëjmë sikur nuk ekziston problemi. Nuk mund të shmangemi të bëjmë sikur nuk ka krizë. Kriza është aq e madhe sa rrezikohet ekzistenca e kësaj partie. Është bërë hall të shkosh në foltore e hall të mos shkosh. Nuk është normale kjo ndarje mes demokratëve.” Mësohet të ketë thënë Tomor Alizoti. /abcnews.al/