Pa ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku ishte kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj që zhvilloi një dëgjesë me operatorët e transportit publik në Tiranë pas vendimit të tyre për të përgjysmuar numrin e urbanëve dhe disa kërkesave, mes tyre për indeksimin e çmimit të karburantit.
Erion Veliaj u shpreh se ka vendosur që për buxhetin e vitit 2022 të akordojë një milion euro subvencion për operatorët në bazë të performancës, por me kusht transparencën.
“Bashkia e Tiranës do të ofrojë për herë të parë një subvencion prej 1 milion eurosh. Cilësinë e rrit vetëm transparenca, përdorimi i GPS, aboneja e formalizuar, dhe jo subvencioni. Por, duke qenë se jemi në kushte të jashtëzakonshme kam marrë një vendim të jashtëzakonshëm.
Si fillim, angazhohemi edhe për subvencionin e TVSH-së dhe akcizës, që do e japë bashkia e Tiranës cash për operatorët, por sigurisht që do monitorohet me transparencë, me GPS dhe me mënyrën e formalizimit të shitjes së aboneve, në të kundërt në nuk kemi bërë asgjë” tha Veliaj.
Ministrja Belinda Balluku theksoi disa ditë më parë se ky është sektor kritik duke premtuar se do të diskutohet me ministrinë e Financave që subvencionimi të përfshijë të paktën periudhën e krizës.
/ Abcnews.al