Vjosa Berisha gjatë një interviste për moderatorin Alban Musa në emisionin e mëngjesit në Abc, rrëfeu mes të tjerash dhe betejën me kancerin. Ajo ka kryer një operacion pak kohë më parë në Gjermani por është kthyer në Kosovë ku dhe po ndjek kimioterapinë. Megjithatë, pavarësisht këtyre muajve të vështirë, ajo thotë se nuk ka hequr dora nga palestra dhe nga aktiviteti normal që ndjek çdo ditë.
Ajo thotë se nuk e konsideron veten një paciente për aq kohë sa sëmundja nuk e ka provuar të bëjë atë që ka dashur gjithmonë. E pyetur nga moderatori për momentin kur i ka treguar bashkëshortit të saj, Fatos Berishës për këtë sëmundje, ajo tha: “Në momentin që e mora vesh e kisha pak me rezervë 80 përqind, e mendova por ka një hapësirë për dyshim se mund të jetë gabim. Ishte vetëm me një ekografi.
Emocioni dhe vështirësia më e madhe kur dola jashtë që duhej t’i tregoja Fatosit se çfarë më tha mjeku, ishte më e vështirë dhe nuk e priti fare mirë. Me shumë emocion dhe shumë rëndë. Jam shumë sportive, ushqehem shëndetshëm, janë të gjitha predispozitat që kjo nuk mund të më ndodhte mua por ja që ndodhi.”, tha ajo. Ndërkaq, Vjosa përcolli dhe një mesazh të fortë për të gjithë ata që vuajnë nga sëmundje të tilla.
“Mendoj se ato vajza dhe gra dhe burra, të cilët janë me kancer dhe familjet e tyre të kenë parasysh se është shumë me rëndësi që gjatë kësaj periudhe të dëgjojnë këshillat e doktorëve dhe të kujdesen për ushqimin dhe aktivitetet fizike sepse janë disa gjëra kyçe që ndikojnë shumë në kancer dhe për disponimin. Nuk është fundi botës, ajo që më ka ngushëlluar është se dëgjoj shumë raste që janë shëruar sesa raste fatale. Kjo më bën të mendoj se ka shpresë dhe të bëj më të mirën për t’u kujdesur për veten.“, tha ajo. /abcnews.al