Aksident hekurudhor, disa viktima në Danimarkë

schedule11:55 - 2 Janar, 2019

schedule 11:55 - 2 Janar, 2019

Një aksident hekurudhor në Danimarkë u ka marrë jetën 6 personave dhe ka lënë të plagosur disa të tjerë. Ngjarja ka ndodhur në një urë që lidh ishujt jug-lindorë me pjesën tjetër të vendit nordik.

Të paktën 6 persona humbën jetën dhe 16 të tjerë mbetën të plagosur në një incident hekurudhor të ndodhur mëngjesin e së mërkurës në Danimarkë. Mediat lokale bëjnë të ditur se aksidenti ndodhi në atë që njihet si Ura e Brezit të Madh, që lidh ishujt e Zelandës dhe Funenit, ku menjëherë më pas qarkullimi u pezullua.

Sipas burimeve, shkak i tragjedisë u bë shkëputja e një mbulese prej gome nga një tren mallrash, e cila ra mbi trenin e pasagjerëve, duke e detyruar drejtuesin të frenonte papritur. Pavarësisht problemeve të shkaktuara nga moti i keq, ekipet e shpëtimit u erdhën në ndihmë 131 pasagjerëve dhe 3 anëtarëve të ekuipazhit.

Ura e Brezit të Madh është një nyje e rëndësishme ndërlidhëse në jug-lindje të Danimarkës, ku çdo ditë kalojnë dhjetëra mijëra automjete. Kryeqyteti Kopenhagen ndodhet në ishullin e Zelandës, ndërsa qyteti Odense, prej nga ishte nisur treni i pasagjerëve, lidh ishullin Funen me perëndimin e vendit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!