Teuta është rikthyer tek fitorja në kampionat ditën e sotme duke mundur me rezultatin 1-0 skuadrën e Egnatias.
Në një deklaratë pas ndeshjes për “Gol pas Goli” në ‘Supersport” trajneri Edi Martini shprehej se për ta sot kishte rëndësi fitorja për të kthyer qetësinë tek skuadra.
“Vinim pas një ndeshjeje të humbur ndaj Tiranës dhe kishim punuar shumë në aspektin psikologjik, për t’i nxitur lojtarët të tregojnë veten në fushë. Sot ishte e rëndësishme të merrnim pikët dhe ia dolëm, ndaj jam shumë i kënaqur, por ende ka shumë vend për përmirësim. Pjesën e parë vuajtëm humbjen ndaj Tiranës dhe ishim ndoshta pak të traumatizuar, por në pjesën e dytë reaguam shumë mirë. Ndaj Tiranës bëmë gabime elementare. Nuk është se e nënvlerësuam, por humbëm prej gabimeve tona. Është e vështirë të luash në fushë asnjanëse, pasi edhe kundërshtari të sulmon më shumë, është më trim, megjithatë shpresoj që të rikthehemi sa më shpejt në stadiumin tonë”, deklaroi Martini.
Nga krahu tjetër mjaft i zhgënjyer është shfaqur trajneri i Egnatias, Gugash Magani, i cili nuk nguron të fajësojë edhe arbitrat që nuk kanë gjykuar siç duhet këtë takim.
“E kam të vështirë të gjej alibi për humbjen sot, pasi ishim vendosur mjaft mirë dhe mjaft të organizuar në fushën e lojës. Më vjen keq që u ndëshkuam nga ai episod i penalltisë. Nuk kam vërejtje për atë vendim të arbitrit, por për lojën në tërësi, pasi arbitrimi nuk iu përgjigj nivelit të lojës në fushë. Ne jemi një skuadër e re, por e organizuar shumë mirë dhe me elementë cilësorë, ndaj arbitrat nuk duhet të na shohin si të vegjël. Edhe në Laç, por edhe më herët, arbitrat nuk janë treguar korrektë në sjelljen ndaj nesh”, u shpreh tekniku Magani. /f.a/abcnews.al