Mjekët refuzojnë patronazhimin në Burrel, reagon Manastirliu

schedule15:32 - 31 Dhjetor, 2018

schedule 15:32 - 31 Dhjetor, 2018

Pas publikimit të shkresës së mjekëve të maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë ku denoncojnë mungesën e kushteve në maternitetin e Burrelit dhe refuzojnë të ndjekin sistemin e patronazhimit, ka reaguar ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Manastirliu thotë se i njeh problemet dhe po punohet për zgjidhjen e tyre.

Ky peticion përmes të cilit mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë refuzojnë të ndjekin sistemin e patronazhimit dhe të asistojnë në lindje në maternitetin e Burrelit për shkak të mungesës së kushteve ka mbërritur në tryezën e Ministres së Shëndetësisë. Ogerta Manastirliu thotë se është një ndër shkresat e shumta që merr nga mjekët për problemet në spitale.

“Është një shkresë që ka ardhur, drejtuar Minsitrisë në kuadër të problematikave që mund të ketë një problem a një tjetër dhe nuk ka gjë të jashtëzakonshme këtu”.

Të jashtëzakonshme i përshkruajnë mjekët e maternitetit kushtet që kanë gjetur në maternitetin e Burrelit gjatë ushtrimit të detyrës gjashtë muajt e parë të vitit.

Ata shkruajnë se i gjithë spitali mbulohet vetëm nga një mjek anestezist-reanimator që sipas tyre bën  të pamundur ndërhyjen në kohë reale në rastet urgjente.

Shërbimi për të porsalindurit është i zbuluar si në aspektin e burimeve njerëzore, ashtu edhe në infrastrukturë në sallat e operacionit nuk ka instrumenta, ndërsa rezervat e gjakut mungojnë totalisht.

Ministrja e Shëndetësisë thotë se i njeh problemet dhe se po punon për t’i zgjidhur.

“Sistemi shëndetësor ka pronblematika ne po i adresojmë këto problematika për të marrë zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme”.

Manstirliu nuk dha detaje se çfarë pritet të ndryshojë në maternitetin e Burrelit viti që vjen ndërkohë ajo që dihet është se gratë e kësaj zone do t’i drejtohen Lezhës apo Tiranës për të lindur, pasi mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” kanë bërë të ditur se nuk do t’i asistojnë dhe se në këtë maternitet do të ofrojnë vetëm shërbimin ambulator në Obstetri – Gjinekologji. /abcnews.al