Ambasada ruse ka reaguar në lidhje me vdekjen e katër vizitorëve me origjinë nga Rusia disa ditë më parë në një hotel në Qerret të Kavajës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ambasada shkruan se katër trupat pajetë janë nisur mëngjesin e sotëm për në Rusi ku edhe do të kryehet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë për të mësuar shkaqet e vdekjes.
“Shpresojmë në marrjen sa më të shpejtë të përfundimeve zyrtare nga pala shqiptare, si edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm të ngushtë të organeve ligjzbatuese ruse dhe shqiptare për sqarimin e rrethanave të tragjedisë”, shkruan ambasada ruse.
Viktimat janë Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç dhe Ekaterina Burenkova 31 vjeçe. Ata u gjetën të vdekur në zonën e saunës të “Gloria Palacë” në Qerret të Kavajës, pasditen e vonë të datës 15 tetor.
Deri më tani nuk është zbardhur ende shkaku i vdekjes së tyre.
Reagimi i plotë
Në mëngjesin e hershëm të 22 tetorit trupat e pajetë të shtetasve rusë, të cilët humbën jetën në 15 tetor në territorin e Republikës së Shqipërisë, u nisën në Rusi me një fluturim të rregullt.
Sipas legjislacionit rus, mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tyre.
Shpresojmë në marrjen sa më të shpejtë të përfundimeve zyrtare nga pala shqiptare, si edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm të ngushtë të organeve ligjzbatuese ruse dhe shqiptare për sqarimin e rrethanave të tragjedisë. /abcnews.al