Progres raporti, eksperti: S’e kishim imagjinuar që procesi do të zgjaste kaq shumë

schedule21:06 - 20 Tetor, 2021

schedule 21:06 - 20 Tetor, 2021

Në Tiranë u prit me reagime të ndryshme Raporti i Komisionit Europian mbi përparimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit. Opozita e komentoi me një optimizëm të matur, qeveria e mirëpriti si një vlerësim për rezultate të prekshme, ndërsa ekspertë të pavarur pohuan se qytetarët po zhgënjehen nga tejzgjatja e procesit, që po vazhdon prej 20 vitesh.

Një ditë pas publikimit të raportit të progresit për Shqipërinë, ekspertë të pavarur që monitorojnë procesin e integrimin të Shqipërisë në BE pohuan se për të shmangur zhgënjimin e qytetarëve nga vonesat, BE ka nisur një qasje të re, duke investuar dhe financuar në rajon projekte zhvillimi, që lidhen drejtpërdrejt me ekonominë e familjeve dhe jo me projektet e shtrenjta reformuese nëpër institucione

Drejtuesi i Lëvizjes Europiane në Shqipëri EMA, Gledis Gjipali, thotë se nga pala shqiptare reformat duhen zhvilluar me më shumë shpejtësi, jo pse i kërkon Brukseli, por sepse i kërkojnë qytetarët, si një nevojë për të rritur cilësinë e jetës së tyre.

Shqiptarët, thotë zoti Gjipali, janë qytetarët më pro europianë në gjithë Ballkanin dhe meritojnë të mbështeten për sakrifica gjatë këtyre viteve dhe të shohin përfitime konkrete nga ky proces, ndërkohë që shumë prej tyre po largohen nga vendi.

“Qytetarët kanë pritshmëri të larta nga procesi. Kemi mbi 20 vite në këtë proces dhe ai po zgjat nga ne. Asnjë nga ne, jo vetëm qytetarët, por as ekspertët që merren me studime në këtë fushë, nuk e kishin imagjinuar që do të zgjaste kaq shumë, dhe që do të vazhdojë më tej, dhe madje vihet në diskutim edhe përfundimi i tij me sukses. Për qytetarët është akoma më e rëndësishme për të parë se çfarë përfitojnë drejtpërdrejt” – thotë zoti Gjipali.

Kryetarja opozitare e Këshillit Kombëtar të Integrimit Euopian, Jorida Tabaku, tha sot në mbledhjen e parë të këtij forumi, se “Komisioni Europian u tregua shumë mbështetës ndaj politikave të zgjerimit dhe mjaft mirëkuptues për Shqipërisë, edhe pse munguan rezultuan rezultatet konkrete”.

Ajo shtoi se “BE gjendet pranë Shqipërisë edhe në kriza si tërmeti dhe pandemia, edhe në rrugën e integrimit, duke vepruar si brenda një familje, ku vlerësimet negative nuk theksohen, por janë aty të pranishme”.

Në zyrat e Lëvizjes Europiane të Shqipërisë ekspertët vërejnë se raporti vlerëson më pozitivisht se fushat e tjera luftën ndaj krimit të organizuar, lufta ndaj korrupsionit vlerësohet më pak, sepse ende nuk ka zyrtarë të lartë të dënuar dhe kultura e mosndëshkimit po vazhdon.

Zoti Gjipali thekson se “në raport përmendet pozitivisht reforma në drejtësi, por ende ka shumë punë për të bërë; ende nuk janë plotësuar me njerëz institucionet e reja, por raporti është një plan pune për Shqipërinë”.

Kryeministri Edi Rama mori sot në dorëzim një kopje të raportit të Komisionit Europian nga drejtuesi i delegacionit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca.

Ai tha se “Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë dhe se raporti ishte është më pozitivi në vite, ku vlerësohet ecuria në disa reforma themelore që ka ndërmarrë Shqipëria”.

Nga ana tjetër, vet përfaqësuesit e BE-së u shprehën se shtyrjet e afateve për hapjen e e negociatave të anëtarësimit për Tiranën dhe Shkupin po vënë në diskutim besueshmërinë e Bashkimit Europian.

Zoti Gjipali theksoi se zhbllokimi i situatës është në dorë të vendeve anëtare dhe me saktë në dorë të Bullgarisë.

Raporti vjetor i Komisionit Europian përmban një vlerësim pozitiv tërësor për Shqipërinë, sdomos për fushat që lidhen me hapjen e konferencës së parë ndër-qeveritare, e cila sipas komisionerit të zgjerimit mund të mbahen pra fundit të këtij viti./ VOA