STUDIMI/ Vaksinimi shmangu 8 400 vdekje nga koronavirusi në Greqi

schedule13:28 - 20 Tetor, 2021

schedule 13:28 - 20 Tetor, 2021

Vaksinimi në Greqi vlerësohet se ka shmangur 8,400 vdekje dhe 5,560 shtrime në repartin intensiv që nga fillimi i këtij prigrami, tha shefi i Njësisë së Menaxhimit të Pandemisë, Sotiris Tsiodras, gjatë konferencës urgjente nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas “Kathimerini“, Tsiodras iu referua një studimi të kryer në spitalet kryesore në vend të udhëhequr prej tij, mbi antitrupat dhe imunitetin e qytetarëve të vaksinuar dhe të sëmurë.

Siç shpjegoi ai, studimi u krye sipas nevojës që vendi ka për të dhëna mbi efektivitetin e vaksinave, raporton abcnews.al.

Profesori nënvizoi se me rritjen e vaksinimit, rastet me koronavirus shfaqen edhe tek njerëzit e vaksinuar, duke theksuar se kjo nuk do të thotë që vaksinat nuk funksionojnë dhe nuk janë efektive.

Rreziku që njerëzit e vaksinuar të marrin sëmundjen nga të pavaksinuarit zvogëlohet me 11 herë. Siç tha ai, me vaksinimin janë shmangur afërsisht 8,400 vdekje, 5,560 shtrime në shërbimin intensive në spital dhe 5,530 intubacione sipas analizës së fushatës së vaksinimit, nga fillimi i saj deri më 11 tetor 2021.

Ai tha gjithashtu se nëse 95% e popullsisë do të ishte vaksinuar deri në mes të korrikut, do të kishte 1,200 më pak vdekje në Greqi.

“Vaksinat janë jashtëzakonisht efektive kundër rasteve të rënda në të gjitha moshat, duke zvogëluar rrezikun jo vetëm në moshat më të vjetra, por edhe në moshat e reja,” tha Tsiodras.

Për mutacionin Delta

Tsiodras iu referua mutacionit Delta, duke thënë se para Delta-s efektiviteti i vaksinave ishte nga 92% në 98%,ndërsa pas Delta-s, nga 71% në 96%. Me fjalë të tjera, efektiviteti i vaksinës ruhet gjatë periudhës “post-delta”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!