The Independent: Një guidë për qytetin e Tiranës

schedule09:40 - 28 Dhjetor, 2018

schedule 09:40 - 28 Dhjetor, 2018

Shqipëria po shkrin nga akujt. Pas dekadash izolim, vendi i fundit i pazbuluar i Europës ka vendosur të modernizohet dhe të tërheqë vizitorët. Kryeqyteti i tij, Tirana është në zemër të këtij plani, shkruan prestigjiozja britanike “Independent” në një artikull që i kushtohet kryeqytetit të Shqipërisë.

Fluturimi i parë me kosto të ulët mes Britanisë së Madhe (BM) dhe Shqipërisë filloi në prill 2018, kur “Wizz Air” hapi linjën London Luton-Tiranë. Ndërsa qyteti historik është në mes të ndryshimeve masive si pjesë e projektit shumë ambicioz “Tirana 2030”, të ideuar nga zyra milaneze e arkitekturës “Stefano Boeri Architects”, që do të rikrijojë kryeqytetin e Shqipërisë, duke e mbushur me unaza të shumta me hapësirë të gjelbër, shkolla të reja publike dhe godina që respektojnë mjedisin.

Për të gjithë ata që pëlqejnë aventurat “Independent” sugjeron Malin e Dajtit, ku mund të zhvillohet ngjitje me biçikletë, parashutizëm, alpinizëm, ecje ose të vizitosh “Adventure Park”.

Në shkrimin e saj “Independent” përmend edhe Parkun Rinia që “është i këndshëm, ndodhet në qendër dhe mban firmën ‘I Love Tirana’ të cilën e keni parë në mijëra foto”, transmeton ATSH.

Për të shijuar hapësira të gjelbra më të mëdha “Independent” sugjeron “Parkun e Madh të Liqenit që ndodhet vetëm 15 minuta më në jug dhe shumë më i gjerë. Aty ndodhet një liqen, lëndina, kopshti zoologjik i qytetit dhe Pallati Presidencial i Shqipërisë me bazamentin e tij të gjerë”.

“Bunk’Art” është një tjetër destinacion që është përzgjedhur nga “Independent” për të vizituar në Tiranë.

“Bunk’Art ndodhet kur shkon për tek teleferiku ‘Dajti Ekspres’ ndërsa vëllai i vogël ‘Bunk’Art 2’ ndodhet në sheshin Skënderbe. Të dy kanë qenë vend strehimi rezistente ndaj bombave të ndërtuara nga regjimi i Hoxhës të cilat janë transformuar në ekspozita dhe hapësira për evente ku ekspozohen objekte arti dhe historike. Këta bunkerë prej betoni ia vlen të vizitohen dhe më i madhi është aq gjigant, saqë ka edhe një teatër”, shkruan “Independent”.

Për të marrë leksione historie, sipas “Independent”, “Muzeu Historik Kombëtar ka shumë ekspozime të së shkuarës së vendit. Në pjesën ballore të godinës ndodhet një mozaik i famshëm i realizmit socialist nga periudha komuniste, ku tregohen disa shqiptarë krenarë që punojnë fuqishëm dhe plot dinjitet”.

“Kalo kryqëzimin e Lumit të Lanës për të arritur tek Piramida e Tiranës, që u ndërtua si një monument dhe muze në kujtim të Hoxhës. Sot ndodhet gati në mjerim, por shumë i përshtatshëm për të bërë disa foto”, vazhdon “Independent” që e mbyll këtë artikull duke përshkruar disa karakteristika të kryeqytetit të Shqipërisë.