Sipas analistëve në Maqedoni, marrëveshja e arritur mes Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit mund të konsiderohet si ngjarja e vitit për vendin. Ata e cilësojnë si vitin e fitoreve në skenën e politikës së jashtme veçanërisht në diplomaci, por edhe të dështime në planin e brendshëm sidomos në sferën ekonomike.
Analistët njëzëri thonë se Marrëveshja e Prespës ka qenë moment historik për Maqedoninë, që ka shënuar vitin 2018. Por, profesor Sefer Tahiri thotë se në këtë marrëveshje, shqiptarët nuk janë përfshirë në mënyrë konkrete, por siç thotë, sërish kanë qenë konstruktivë, me qëllimin e vetëm, vendi të ecë përpara.
“Shqiptarët megjithatë në atë marrëveshje nuk janë cekur në mënyrë decide, por ajo që mbetet si përfundim është se marrëveshja për emrin e mori pajtimin edhe të popullit maqedonas, të shqiptarëve dhe u dëshmua se rreth interesave strategjike mund të arrihet një pajtueshmëri”, u shpreh ai.
Profesor Qashif Bakiu duke komentuar miratimin e Ligjit për Amnisti, shprehet se “pazari” që bëri Maqedonia ndoshta e “pagoi çmimin politik”, por nuk mund ta paguajë atë social. Siç thotë, nuk u “dhunuan” deputetët e Kuvendit, por vullneti i popullit.
“Jo të amnestojmë njerëz të cilët kanë fyer në organin më të lartë legjislativ. Kanë hyrë dhe kanë rrahur jo vetëm deputetët, kanë rrahur vullnetin e popullit”, tha ai.
20 ditët ardhshme janë vendimtare rreth rrugëtimit të Maqedonisë, thotë Prof. Milaim Fetai. Sipas tij anëtarësimi në NATO, do të thotë fund për “agoninë” në të cilën gjendet Maqedonia.
“Këto 20 ditë do të bëjnë çmos ata që nuk e dëshirojnë Maqedoninë të jetë pjesë e integrimeve euroatlantike që këtë ta ndalin. Prandaj kur i numërova të arriturat e vitit 2018, kulminante është Marrëveshja e Prespës që simbolizon duke i respektuar të gjitha dilemat dhe dyshimet se çfarë kupton ai në brendi, por simbolizon anëtarësimin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO”, tha ai.
Arratisja e Gruevskit, sipas Ahmet Selmanit, i ngjan një teatri të paralajmëruar, siç thotë për ta tërhequr vëmendjen nga problemet reale. “Nuk po hyj unë se kush e organizoi, por i ngjau një teatri sepse të flitet 24 orë se pritet që Gruevski të futet në burg dhe të mos e dijë policia nga shkon, kjo është pak a shumë e paralajmëruar”, u shpreh Selmani.
Rreth përplasjeve në bllokun politik shqiptar, Bardhyl Zaimi shprehet se ato kanë ardhur si pasojë e problemeve që i ka pasur shteti, dhe dyshimet që kjo marrëveshje ngjalli tek shqiptarët, por edhe përfitimet eventuale politike nga kjo marrëveshje.
“Rreth jo përmbajtjes në fakt të Marrëveshjes së Prespës, por devijimeve atyre fobive, që shfaqen dhe jo që si kemi parë gjatë periudhës 30-vjeçare këtu në Maqedoni”, u shpreh ai.
Analistët e ftuar në “Klan Debat” vitin 2018 e karakterizojnë si vit i fitoreve në skenën e politikës së jashtme veçanërisht në diplomaci, por edhe dështime në planin e brendshëm sidomos në sferën ekonomike. Është koha e fundit thonë ata që autoritetet e vendit më me shumë seriozitet t’i qasen problemeve reale të qytetarëve, fundja atë që e kanë premtuar para zgjedhjeve./abcnews.al