Meme për Kryeministrin, protesta e studentëve përpara kryeministrisë

schedule16:16 - 27 Dhjetor, 2018

schedule 16:16 - 27 Dhjetor, 2018

Studentët e universiteteve publike kanë gjetur një tjetër formë proteste për t’u dëgjuar nga qeveria. Përpara kryeministrisë ata kanë shpalosur pankarta dhe meme. Ndërkohë Vendimet e Këshillit të Ministrave të një dite më parë nuk i shohin të plota dhe tregojnë se nuk do ta ndalin protestën e tyre parashikuar për në Janar.

Këtë gjuhë mendojnë se e kupton më mirë. Studentë të universiteteve publike këtë herë revoltën kryeministrit ja shprehen me meme dhe pankarta. Olgert Rakipllari, student i arteve na tregon se simbolika e kësaj proteste është numri nëntë, për nëntë kërkesa që i kanë bërë të ditura nga sheshe të ndryshme të Tiranës.

“99 meme. Nga këto 9 janë pankarta që janë më masive, në formatin më të madh që janë evidentuar ku secila meme dhe pnkartë simbolizon një nga kërkesat tona”, tha ai.

“Pakti për Universitetin” i kthyer në Vendime të Këshillit të Ministriave të mërkurën aq sa i forcon vetëbesimin e shohin dhe me dyshim.

“Ne na frymëzojnë vendimet që janë marrë sepse na jep më shumë vetëbesim sepse ne jemi në rrugën e drejtë të vendimeve tona. Teorikisht me vendim VKM-je ne i kemi parë dhe ato kanë qenë. Problemi është nga VKM-ja te gjëja praktike është si dita me natën, sepse e kemi pësuar njëherë dhe ne nuk duam ta psësojmë edhe për një herë të dytë. Zoti Kryeministër do që të na kënaqë dhe të thotë ‘merreni këtë karamelen për këtë vit. Jeni si jeni ngelësa, keni s’keni mesatare, shkoni në shtëpi, na shuani këtë protestë që po na lë pa gjumë tërë natën”, u shpreh Rakipllari.

“Ne kemi kërkuar përgjysmimin e tarifës për të gjithë studentët njësoj pasi sistemi i vlerësimit që është aktual është ende i brishtë ndaj rryshfeteve dhe korrupsionit. Prandaj nuk mendoj se mund të mbështetemi mbi të për të kuptuar nëse nxënësit janë ekselentë apo thjeshtë po përpiqen për të fituar nota më të mira për të përgjysmuar tarifën”, u shpreh një studente.

Studentët tregojnë se do ta vijojnë protestën edhe në Janar.

“Jo, jo nuk paguajmë tarifë. Është bojkot i pagesës së tarifës dhe do vazhdojmë derisa pikat të realizohen ashtu siç duhet. Ne do vazhdojmë të protestojmë”, u shpreh një tjetër.

Përpara kryeministrisë janë edhe për studentët e rretheve të cilët në pamundësi për të qëndruar në Tiranë gjatë ditëve të pushimit janë larguar në shtëpitë e tyre. Me vete kanë pankarta dhe meme të përgatitura prej tyre. Arbër Kola student i Infermierisë na tregon të parapëlqyeren e tij.

“Ja 21 Janari. Ata duke djeg si sharlatanë. Ja tjetra opozita, 8 Dhjetori. Përsëri si sharlatanë. Ja ne! Në mënyrën më të mirë, në mënyrën më të qytetëruar bëmë protestë. Nuk na udhëhoqi asnjë parti politike, na udhëhoqi vetëm e drejta jonë”, tha ai.

Vend në këtë protestë përmes simbolikës, studentët i kishin bërë edhe të rinjve shqiptar që për një shkollim më të mirë janë larguar jashtë vendit. Kjo protestë e studentëve nuk kaloi pa vëmendje dhe nga kalimtarët e rastit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!