38-vjeçari Alban Semaku u gjet të dielën i pajetë buzë lumit Shkumbin në Peqin. Gazetari Artan Hoxha në një bisedë me Juli Xhokaxhi në “Abc Live” u shpreh se kjo është thjesht vrasja e radhës në zinxhirin e “veprimtarisë” së Bandës së Lushnjës.
Hoxha tregon se Semaku nuk kishte shumë muaj që kishte dalë nga burgu. Më konkretisht më 6 maj pasi u arrestua në mars të vitit 2015 dhe u dënua në nëntor të atij viti.
“Ngjan me dy vrasje të tjera në Lushnje që u bëhen njerëzve të sapodalë nga burgu. Është viktimë e krimit të organizuar dhe ngjarja me shumë mundësi nuk do të zbulohet. Ngjarjet në këto 5 vite lidhen me njëra-tjetrën, kanë një zinxhir.”
Lexo edhe: Alban Semaku u ekzekutua në Peqin, pasi u rrëmbye në Lushnje: Sekuestrohen kamerat e sigurisë
Artan Hoxha vlerëson se prej vitesh janë problematike ngjarjet zinxhir në Lushnje pasi agjencitë në vend nuk po arrijnë që ta ndërpresin zinxhirin. Sipas tij, nëse autoritetet tona nuk do të synojnë për “trurin”, atëherë trupa të tjerë do të vijojnë të gjenden.
“Aty problematika nuk janë autorët por janë investitorët. Nuk kapen dot autorët sepse kanë informacione, mbështetje logjistike. Të rrish në kërkim ka kosto. Ata kanë mjete që i ndërrojnë vazhdimisht. Kush i mban? Dikush i fuqishëm financiarisht.”
Duke u bazuar në rrjedhën e ngjarjeve në këto pesë vite, Hoxha u shpreh se zinxhiri i vrasjeve do të vijojë, dhe se nga vrasja e Semakut janë më të trembur ata që janë gjallë.
“Për atë u la kufoma aty. Është mesazh për grupin shoqëror që ka viktima, largohuni pa u gjetur ne. Këto janë më tepër ngjarje që terrorizojnë.” /abcnews.al/