Unioni i Transportit Publik këtë të hënë përmes një njoftimi për mediat a bërë me dije se duke filluar nga sot do të punojnë me gjysmë kapaciteti të mjeteve urbane.
Një vendim i tillë duket se është marrë pasi ato ende po vuajnë nga pasojat ekonomike të shkaktuara nga pandemia e Covid, që solli rritjen e çmimit të naftës duke i bërë ato ta kenë të vështirë punën në kapacitet të plotë.
Ndër të tjera në njoftimin e tyre Unioni i Transportit Publik thekson se nuk është marrë asnjë masë që të plotësohen kërkesat ekonomike që u janë premtuar dhe deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre do të punojnë me gjysmën e kapaciteteve.
“Të nderuar, Përfaqësuesit e Unionit të Transportit Publik, ju vejnë në dijeni se pas një viti e gjysmë nga rihapja e transportit publik, ndodhemi ende në pikën fillestare ku asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk ka marrë asnjë masë apo plotësim të kërkesave ekonomike të premtuara.
E të gjendur në këtë situatë të pafuqishme ekonomike për të përballuar ecurinë e transportit dhe sidomos pas rritjes së vazhdueshme e të pandërprerë të çmimit të naftës dhe të largimit të stafit, jemi të detyruar që të operojmë nga datë 18.10.2021 me gjysmën e kapacitetit të flotës së mjeteve urbane.
Jemi në këtë situatë pas shumë kërkesash dhe njoftimesh si në institucionet vendore dhe ato qendrore ku mos reagimi i tyre na bën që të shkojmë deri në një kapitullim ekonomik të këtij sektori.
Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, mbetemi në pritje të zgjidhjes së kërkesave tona nga ana e institucioneve përgjegjëse”, thuhet në njoftimin e Unionit të Transportit Publik”, thuhet në njoftimin për mediat.
Kujtojmë se për rifillimin e punës pas shkëputjes për shkak të pandemisë, në protestën e tyre ato premtuan se mjaftonte që të riktheheshin në punë për të zbatuar masat anti Covid.
Ndërkohë që për shkak të kapacitetit të ulët dhe vonesës së tyre në lëvizje, asnjë masë anti Covid nuk është zbatuar, qytetarët dyndeshin pa maska dhe pa mundësi për të ruajtur distancimin social./abcnews.al