Federata Shqiptare e Futbollit ka mirëpritur në Shqipëri programin “Certificate in Football Managment” (UEFA CFM) në bashkëpunim me UEFA Academy dhe Universitetin e Lozanës. Në lidhje me këtë ka folur edhe presidenti i FSHF, Armand Duka, i cili në fund ka prekur edhe atë që ndodhi në stadiumin “Air Albania”
“Pas pak ditëve ne do të kemi një tjetër aktivitet për sigurinë e stadiumeve. Një aktivitet i planifikuar më parë, por që në fakt me ngjarjet e fundit në stadium bëhet edhe më emergjente, për mënyrën se si ne duhet të organizohemi më mirë, se si të gjithë faktorët dhe aktorët duhet të bëjnë më mirë organizimin e një ndeshje.
Ekspertë të fushës nga UEFA do të jenë në Tiranë bashkë me ekspertët tanë në ndeshjet e kampionatit shqiptar dhe sidomos në ndeshjet derbi ku do të ketë më shumë prani tifozësh për të minimizuar apo eliminuar ngjarje si ajo në “Air Albania”.
Ngjarje me të vërtetë e turpshme, që nuk na nderon, njollos futbollin, por që të gjithë ne duhet të ndjejmë përgjegjësi, të nxjerrim mësime dhe të përmirësohemi për të ardhmen dhe jo të drejtojmë gishtin nga njëri-tjetri, pasi të gjithë ne jemi fajtorë, që nga ne si organizatorë, ata që duhet të na ndihmojnë apo tifozët në shkallët e stadiumit.
Është vërtetë mëkat kur 22.000 tifozë në stadium krijuan një atmosferë shumë të mirë, por nga disa individë të njollosemi apo të penalizohemi”, është shprehur Duka. / abcnews.al