Luka Donçiç, një legjendë nga Europa mbërriti në NBA

schedule18:14 - 25 Dhjetor, 2018

schedule 18:14 - 25 Dhjetor, 2018

Luka Donçiç është zbulimi i sezonit në basketbollin amerikan. Adoleshenti i ardhur nga Sllovenia, cilësohet si numri 1 i debutuesve në ligën më të fortë të botës.

Ky ishte momenti. Komisioneri i NBA-së, Adam Silver, shqiptoi emrin e një debutuesi. Ai ishte Luka Donçiç, 19 vjeç, i ardhur nga Europa. Adoleshenti slloven, u përqafua nga familjarët, ndërsa ngjiti shkallët për t’u prezantuar në skenën më të madhe të basketbollit në botë. Ai ishte i përzgjedhuri numër 3, me pjesën më të madhe të klubeve të NBA-së që dyshonin te kampioni i Europës me Realin e Madridit, por me një klub që nuk u lëkund aspak. Kur Donçiç vuri këmbën për herë të parë në parketin e ligës më të famshme të rruzullit, të gjithë e kuptuan se Dallas Maveriks kishte bërë një goditje në shenjë.

Në fund të 2018-ës, pasi ka kaluar më pak se gjysma e sezonit të rregullt, 19-vjeçari nga Sllovenia është njeriu i momentit. Po aq sa Lebron Xhejmsi, Kevin Duranti apo Stefën Kërri. Donçiç është debutuesi më i mirë i sezonit deri tani, madje menjëherë është bërë lideri i Dallasit. Statistikat e tij janë 19 pikë për ndeshje, 6.6 topa në tabelë për ndeshje, 4.9 asistë për ndeshje, 1.1 vjedhje topi, 0.3 bllokime.

Ka luajtur 31 ndeshje deri tani, nga 32 gjithsej Në sfidën numër 28 kaloi kufirin e 500 pikëve të shënuara, arriti në 188 topa në tabela dhe 137 asistë. Në 35 vitet e fundit, i vetmi që e kishte vendosur këtë rekord, ishte Lebron Xhejmsi. Vetë Lebroni e kuptoi se në NBA po krijohej një legjendë, kur Luka i bllokoi dy gjuajtje brenda pak sekondave, në duelin Lejkërs-Dallas. E ardhmja duket madhështore për adoleshentin europian, që shpreson të kalojë legjendat e mëparshme kontinentale si Drazhen Petroviç, Arvidas Sabonis, Toni Parker apo Dirk Novicki. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!