Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë në vigjilje të festës së Krishtlindjeve. Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti ka bërë thirrje që të mos harrojmë të vetmuarit, njerëzit në nevojë dhe të sëmurët për t’u dhënë atyre më shumë shpresë, besim dhe gëzim në këtë ditë të shenjtë.
Urimi i Ilir Metës:
“Të dashur miq,
Në vigjilje të Ditës së Bekuar të lindjes së shpresës e gëzimit, mirësisë, solidaritetit e humanizmit, Ju shpreh urimet më të ngrohta dhe të përzemërta, të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë: Gëzuar Krishtlindjen!
Uroj që kjo festë e bukur e Krishtërimit, që mishëron vlera sa hyjnore, aq dhe njerëzore dhe që bashkon familjen e shoqërinë tonë me paqen, harmoninë e mirëkuptimin, të sjellë më shumë mbarësi, dashuri, lumturi, begati dhe drejtësi sociale.
Në këtë Ditë të Shenjtë të mos harrojmë të vetmuarit, njerëzit në nevojë dhe të sëmurët, për t’u dhënë atyre më shumë shpresë, besim dhe gëzim.
Për shumë mot Gëzuar Krishtlindjen”!
/abcnews.al

