Donald Trump ka ndezur sërish konfliktin me Bankën Qendrore të Shteteve të Bashkuara. E teksa qarkullojnë zëra se presidenti po përgatit shkarkimin e shefit të saj, ekonomia amerikane ka nisur një rënie të lirë, e ndodhur mes pasigurive dhe bllokadës federale që ka përfshirë vendin.
Situata ekonomike në Shtetet e Bashkuara rrezikon jo pak nga bllokada federale që ka përfshirë vendin si pasojë e përplasjes mes republikanëve dhe demokratëve. Si gjithmonë, presidenti Donald Trump ka zgjedhur t’ua atribuojë përgjegjësinë të tjerëve dhe të vetëshfajësohet nga gjithçka. Pak ditë pasi fajin për bllokadën ua la demokratëve, Trump të hënën ka sulmuar Rezervën Federale të Shteteve të Bashkuara, si problemin e vetëm për ekonominë amerikane. Bëhet fjalë megjithatë për një konflikt të vjetër mes shefit të Shtëpisë së Bardhë dhe Bankës Qendrore.
Vlera e aksioneve në tregjet financiare amerikane ra të hënën për shkak të shqetësimeve që rrjedhin nga ngadalësimi i rritjes ekonomike, bllokada federale dhe zërat se Trump po planifikon shkarkimin e kreut të Bankës Qendrore, Zherom Pauell. Në një situatë të tillë, sekretari amerikan i Thesarit, Stiven Mnuchin u bëri thirrje bankave që të përgatisin një plan rezervë dhe të thërrasë grupin e posaçëm të punës pranë Shtëpisë së Bardhë. Por institucionet bankare u përgjigjën duke thënë se situata nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Vetë Trump, përmes një postimi në Tëitter, nuk tha asgjë për të lehtësuar shqetësimin e tregjeve, përveç se i drejtoi gishtin shefit të Bankës Qendrore.
“I vetmi problem për ekonominë tonë është Rezerva Federale. Ata nuk e kuptojnë tregun, por veprojnë si një lojtar i fuqishëm golfi që nuk mund të shënojë pikë sepse nuk ka stil”, tha Trump./abcnews.al