Shefja e Misionit të FMN për Shqipërinë, Yan Sun, dje gjatë një konference tha se mungesa e të dhënave të sakta mbi ekspozimin e qeverisë ndaj PPP-ve është një sfidë kryesore. Në lidhje me rritjen ekonomike, FMN-ja parashikoi që të normalizohet në 3.8 për qind në vitin 2022, duke reflektuar më pak mbështetje nga politikat fiskale dhe maturimit të efektit të rimëkëmbjes.
Fondi Monetar Ndërkombëtar i sugjeroi qeverisë që të marrë masa për ti ardhur në ndihmë shtresës në nevojë. Lidhur me deklaratat e djeshme të shefes së FMN ka reaguar nënkryetarja e PD dhe deputetja Jorida Tabaku e cila akuzon qeverinë se sipas saj po varfëron qytetarët për të pasuruar klientët.
Lexo edhe: FMN për energjinë: Qeveria të mbrojë shtresat në nevojë
Tabaku thotë se treguesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar janë provë për të theksuar se qeveria po dështon në manaxhimin dhe rritjen e të ardhurave në buxhet edhe si pasojë e informalitetit të lartë dhe keqmanaxhimit të taksave. Sipas saj, situata me PPP është në kufijtë e çmendurisë, pasi nënvizon se ata zënë 50% të PBB-së për vitin aktual.
Deklarata e plotë e Jorida Tabakut:
Simptomat e një ekonomie në krizë, sipas FMN. Qeveria po dështon në manaxhimin dhe rritjen e të ardhurave në buxhet edhe si pasojë e informalitetit të lartë dhe keqmanaxhimit të taksave. Qeveria po dështon tek shpenzimet, investimet janë jo eficente dhe qytetarët e ekonomia nuk fitojnë prej tyre. Me pak fjalë #investimet nuk prodhojnë rritjen e dëshiruar ekonomike, rritjen e punësimit dhe një shëndet më të mirë të ekonomisë. Situata me PPP është në kufijtë e çmendurisë, ato zënë 50% të PBB-së për vitin aktual duke e kthyer buxhetin e shqiptarëve në portofolin e miqve të qeverisë.
Borxhi Publik pritet të rritet edhe më tej jo vetëm si pasojë e rritjes së PPP-ve por edhe si pasojë e rritjes së normave të interesit. Më e rënde situata me shqiptarët që do të oaguajnë më shumë për të blerë më pak ushqime. 51% e të ardhurave të familjeve tona shkon për ushqim dhe energji elektrike, do na shkojë edhe më shtrenjtë! Transparenca me kontratat, me vendosjen e politikave fiskale dhe ligjeve kanë ndikuar në krijimin e një klime armiqësore me biznesin dhe taksapaguesit por mbi të gjitha që vendosin në pikëpyetje buxhetin në lidhje me PPP.
Mungesë e plotë transparence se sa nga taksat e qytetarëve janë shpenzuar për shqiptarët gjatë pandemisë dhe sa i kanë shkuar në xhep koncesionarëve. Mungesë e plotë transparence për fondet e rindërtimit ndërkohë që gjasat janë që keqpërdorimi është disa milionësh. Ndërkohë që lufta kundër informalitetit ka prodhuar një ekonomi edhe më shumë informale. Shenjat tregojnë se rritja e çmimeve do t’i bëj edhe më shumë dëm të ardhruave të shqiptarëve që do të bjerren nga pesha e inflacionit dhe rritjes së çmimeve. Shqipëria e Ramës është ajo e varfëruar, me korrupsion, buxhet të shndërruar në portofolin e koncesionarëve dhe oligarkëve. Kjo nuk është qeveria e qytetarëve por e oligarkëve që abuzojnë në kurrizin dhe nga djersa e qytetarëve./Abcnews.al