Presidenti i Tiranës, Refik Halili, shpjegon ndryshimet që priten në klub vitin e ardhshëm. Pritet ardhje e aksionerëve të rinj, por borxhet mbeten sërish të mëdha.
Disa rezultate pozitive në fund, nuk mund të jenë shpëtimi. Tirana është në krizë të thellë edhe sportive, por edhe financiare, dhe presidenti Halili, i ndërgjegjshëm për gjendjen, premton se do të marrë masa. Numri 1 i klubit deklaroi se do të ketë ndryshime përsa i përket aksioneve, dhe dha këtë shpjegim duke folur për “Supersportin”.
“Mund t’ju them janë mbi 4-5 persona apo që jane edhe kompani që janë shumë të rëndësishëm të biznesit, unë sot jam me 66% të aksioneve dhe pjesa e tjetër është pjesë që e ka bashkia. E di shumë mirë, e dinë edhe persona të tjerë që ato aksione do dalin në shitje. Unë jam i gatshëm t’i jap aksionet, por unë jam për bashkëpunim, 50 me 50”, tha Halili.
Halili flet edhe për gjendjen në të cilën e mori klubin dhe jep disa të dhëna mbi të ardhurat financiare.
“Këto janë më shumë të trashëguara nga një borxh shumë i frikshëm. Të them të drejtën kur e kam bërë këtë gjë, guxuam dhe arritëm të arkëtojmë gati më shumë se 1 milionë euro. Ishte viti shumë i suksesshëm përsa i përket të ardhurave, por ishte viti që nuk do harrohet kurrë dhe për këtë unë do ngelem si njeriu më i keq”, tha Presidenti Halili.
Ndryshimet janë premtuar se do të nisin në Janar. Çfarë synon Halili për këtë edicion?
“Të synojmë pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Nga ana tjetër ëndrra ime është ta zbardh dhe ta çoj drejt likujdimit klubin. Shpresoj shumë që deri në fund të këtij sezoni, borxhet të jenë të likujduara totalisht”, theksoi ai.
Burime pranë klubit bëjnë me dijë se borxhi mbetet sërish i madh, duke llogaritur tatimet, lojtarë të palikujduar, gjyqet e humbura me palë të tjera, detyrime në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe të tjera. Nuk ka shifër zyrtare, por besohet se shifra i kalon ndjeshëm 1 milionë eurot, dhe shpëtimi i vetëm është afrimi i aksionerëve, dhe rindërtimi i stadiumit “Selman Stërmasi”, për të krijuar të ardhura prej tij./abcnews.al