Konferenca e Kryetarëve në mbledhjen e sotme mori disa vendime të rëndësishme për seancën plenare të radhës.
Në drejtimin e Kryetares së Kuvendit,Lindita Nikolla, gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve u dakordësua si më poshtë:
-Kalimi për shqyrtim në seancën plenare të datës 14 tetor 2021, i kërkesave të deputetëve të Partisë Demokratike: “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për kontrollin e keqpërdorimit të burimeve të administratës shtetërore, si dhe të asgjësimit të kufirit midis Shtetit dhe PS në pushtet për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021”;
“Për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve administrative dhe procedurës së ndjekur nga ana e organeve ekzekutive në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane në Tiranë. Elbasan dhe Fier”; si dhe “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë në çështjet që kanë sjell si pasojë vendimin e arbitrazhit ‘Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë’”;
Lexo edhe: Zgjatja e Vetingut, Balla: S’kemi pazar me PD, politika të rrijë larg kësaj çështje
-Shtimi i minutazhit të diskutimit për çështjet e parashikuara në seancën plenare të radhës, me 60 minuta, kohë që do të ndahet në mënyrë përpjesëtimore ndërmjet grupeve parlamentare, sipas përfaqësimit të tyre në Kuvend;
-Lejimin e gazetarëve për të ndjekur fizikisht punimet e seancës plenare, në vendin e caktuar për ta galerinë e sipërme të sallës plenare; si dhe marrjes së planeve nga operatorët për një periudhë kohore deri në 5 minuta nga hapja e seancës.
– Futja në programin e punimeve të Kuvendit të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a. (OSHEE) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e OSHEE-së për reagimin ndaj krizës së pandemisë Covid-19 “./Abcnews.al