Nga Dorina Kurtaj- Protesta në shesh në të gjithë Europën, dhe për arsye të ndryshme: kundër jetesës së shtrenjtë, kundër racizmit, kundër referendumeve të përfunduara. Është e çuditshme se si në epokën e dixhitalizimit, ku marrëdhëniet virtuale kanë marrë vendin e jetës shoqërore tradicionale, njerëzit ndjejnë nevojën për të zbritur në rrugë për të shprehur mesazhin e tyre. Qoftë në formë proteste apo solidariteti.
Në Gjermani e marrin si me shaka, 100 vjet pas revolucionit të kuq që në vitin 1918 solli një lumë flamujsh të Leninit në rrugë dhe sovjetikët në pushtet. “Revolucioni është në prag” premtojnë jelekët e verdhë gjermanë. Por termi i përdorur në Gjermani për protestuesit që zbritën në shesh në 1 dhjetor për një revolucion gjerman, është nënvlerësues, sipas analistëve që ndjekin zhvillimet në të djathtët e rinj në Gjermani. Pak persona manifestuan, por në pak javë profilet në Facebook të jelekëve të verdhë gjermanë kanë mbledhur më shumë se 20 mijë anëtarësime. Sipas disa kërkimeve pas këtij organizimi qëndron Alternativa për Gjermaninë.
Ekstremi i djathtë gjerman, i cili që nga viti 2017, hyri për herë të parë në Bundestag – si parti e tretë – po mobilizon aktivistët në prag të zgjedhjeve europiane dhe administrative të 2019-ës, për të bërë për vete votuesit e pakënaqur që po joshen nga jelekët e verdhë. Protesta e shpërthyer në Francë u përqafua nga shtete të tjera europiane, sidomos falë mediave sociale. Edhe në Itali, e majta radikale dhe lëvizjet populiste si lëvizja me pesë yje, mbështesin këtë çështje e gatshme si ekstremi i djathtë për të mbledhur sa më shumë të pakënaqur nga sistemi. Për sa i përket jelekëve të verdhë Fronti Kombëtar i Marin Lë Pen dhe Kaza Paun qëndrojnë nga e njëjta anë e së majtës Zhan Luk Melenshon dhe të Pushtetit të Popullit e deri tek Bepe Grilo. Në Gjermani ndodh e njëjta gjë: edhe liderja e së majtës radikale gjermane – Di Linke – synon të marrë nga e djathta zemërimin popullor, duke i shtrirë dorën të zemëruarve.
Por mbështetja që nuk duket e të majtave ekstreme është më e fortë. Jelekët e verdhë gjermanë nuk kërkojnë rërzimin e qeverisë së Merkel, por janë kundër marrëveshjes për emigracionin me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e mbështetir fort nga kancelarja, si dhe akuzojnë politikanët se janë marioneta të multinacionaleve amerikane dhe të elitave zioniste të pushteteve të forta.
Mes administratorëve të profileve të Facebook të jelekëve të verdhë janë subjekte të lidhura me grupe të ekstremit të djathtë. Por në Gjermani kjo protestë nuk pati jehonën dhe pjejsëmarrjen e pritur.
Ndërsa në Belgjikë, ku qeveria u rrëzua para pak ditësh, loja e jelekëve të verdhë ka qenë e fortë që në fillimi, duke përfituar dhe nga kohëzgjatja e protestave në Francë. Në 30 nëntor dhe në 8 dhjetor në Bruksel u mblodhën me qindra protestues që hodhën shishe, dogjën automjete, bllokuan rrugën duke bërë që shumë prej tyre të arrestuan.
Sloganet e belgëve janë më të ngjashmë me ato të francezëve pra më të orientuar në të majtë: kundër kushtëzimit të sigurimeve shëndetësore, rritjes së çmimeve, dhe kërkojnë paga më të larta.
Edhe në Holandë mobilizimi ishte më i butë, ku frikërat ekonomike dhe gjendja e shtetit social janë njësoj të forta, por në Hagë protestuan qindra aktiviatë më agresivë, kundër emigrantëve.
Në Britaninë e madhe protestat e para të jelekëve të verdhë pro brexit nisën në 14 dhjetor, në urën e Uestminster më Londër, me një manifestim të euroskeptikëve radikalë. Aty morën pjesë me dhjetëra persona të cilët kërkonin një dalje të menjëhershme nga Bashkimi Europian si dhe kritikuan përpjekjet për marrëveshje të kryeministres Tereza Mej me Brukselin. Manifestuesit bllokuan trafikun e autobusëve dhe automjeteve.
Në Itali lindi koordinimi kombëtar i jelekëve të verdhë, me më shumë se 9 mijë “like” në pak javë në profilin përkatës në Facebook. Torino është bastioni i kësaj lëvizjeje dhe slogan është dalja e vendit nga Bashkimi Europian duke kundërshtuar BE-në dhe monedhën euro. Për mediat vendase, organizuesit e manifestimeve shprehen se nuk janë kundër qeverisë italiane aktuale por kundër Europës.
Por gjithësesi nuk mund të flitet për një 1978 të ri sipas analistëve: mungon gjallëria, ngjyrat e ndezura, notat muzikore dhe fytyrat e reja. Por gjithësesi ky lumë protestash në Europë duket dhe zhduket, i përbërë nga manifestime, simbole, flamuj dhe përplasje me policinë. Çdo gjë shoqërohet sigurisht – në këtë fazë diktature të ueb-it – nga grupe që veprojnë pas skene, duke krijuar dhe ushqyer këto protesta nëpërmjet Facebook, Tuiter dhe Uhatsap.
Por në Itali sheshet ishin relativisht të qeta. Disa persona manifestuan në Xhenova, ku prej muajsh qyteti prêt përgjigje konkrete për shembjen e urës Morandi dhe pasojat e kësaj tragjedie. Pasoja që përkthehen në shtëpi të shkatërruara, vende të humbura pune, dhe trafik kaotik. Por në zona të ndryshme të vendit ka pasur dhe manifestime pro dhe kundër emigrantëve, ose të ushqyer nga partitë si Lega Nord dhe Partia Demokratike.
Parisi mbetet në këtë mënyrë kryeqyteti i protestave aktuale në kontinentin e vjetër. Jelekët e verdhë janë kthyer në emblemën e revoltës që nis nga poshtë, kundër politikës aktuale dhe asaj të djeshme, dhe duke kërkuar një drejtësi më të madhe sociale. Fillimisht u kundërshtua rritja e çmimit të karburanteve e vendosur nga qeveria në kuadër të betejës për ndryshimet klimaterike: por sheshet nuk kanë durim dhe nuk presin 2050-ën. Ndërsa çmimi më i lartë i karburanteve peshon shumë sot në xhepat e atyre që kanë pak para. Presidenti francez Emanuel Makron dhe kryeministri Eduard Filip u detyruan të bëjnë një hap prapa, duke pranuar se nuk kishin dëgjuar kërkesat e drejta. Kreu i Shtetit francez premtoi reforma dhe më shumë para. Masat makroniane pritet të kalojnë fillimisht për miratim në qeveri dhe më pas në parlament, ndërsa lëvizje e jelekëve të verdhë po përçahet. Kur interesat e prezantuara në shesh janë të drejta por metodat të ndryshme – krahu më i dhunshëm kundër atij që kërkon dialog me qeverinë – lëvizja herët ose vonë do të përçahet.
Londra mund të konsiderohet si qyteti më në tension për shkak të Brexit, marrëveshjes për daljen nga Bashkimi Europian që akoma nuk është i qartë, për dobësinë e ekzekutivit të Tereza Mej. Si dhe për frikërat se divorci nga 27 vendet anëtare po shkakton një izolim ekonomik, dalje nga tregu i përbashkët, vështirësi në lëvizjen e lirë të njerëzve, rënie të turizmit dhe largimi nga vendi i kompanive ndërkombëtare. Por nuk rezulton kështu. Ekonomia britanike është e qëndrueshme dhe beteja politike për momentin ka mbetur brenda mureve të parlamentit. Por nuk mungojnë mbështetësit e eBrexit, dhe as mbështetësit e Bashkimit Europian që disa herë janë mbledhur para Uestminster, me slogane dhe flamuj. Por cdo gjë mbetet në kornizat e respektit reciprok dhe debatit demokratik. Edhe pse Londra kohët e fundit ka përjetuar tensione të forta për terrorizmin dhe ndoshta tashmë kërkon vetëm qëndrueshmëri dhe qetësi. Dicka që kryeministrja britanike Mej e premton çdo ditë.
Por ka qytete të tjera në lëvizje. Athina bën llogaritë me një bombë të shpërthyer par derës së televizionit privat Skai, jo shumë larg kryeqytetit. Policia heton, ndëra politika fajëson grupe anarkike pse ekstremiste të cilat kërkojnë destabilizimin e vendit i cili vetëm tani pas 10 vjetësh, pas shumë lodhjesh e sakrificash, po ngre kokën për tu rimëkëmbur nga kriza ekonomike. Ministrja greke për rendin publik Olga Gerovasili e cilësoi si një sulm ndaj demokracisë, ndërsa Prokuroria po ndjek pistën e terrorizmit.
Në Budapest ashpërsohet ndërkohë protesta popullore kundër të ashtuquajturit “ligj për skllavërinë”, thënë ndryshe reforma e punës e kërkuar nga qeveria e kryeministrit hungarez Viktor Orban, që ndër të tjera parashikon rritjen e orëve jashtë pune në një vit duke i çuar nga 250 në 400. Një vendim i tillë lejon pagesën e këtyre orëve jashtë orarit deri në tre vjet. Një paradoks hungarez shkruajnë analistët të cilët ngrejnë pikëpyetje se si është e mundur që në një vend anti emigrantë, i cili ngre mure përreth, mungon krahu i punës. Dhe qeveria synon që të punohet më shumë dh etë paguhet më pak ose duke shtyrë me muaj pagesat e punëtorëve. Të dielën e fundit ishin rreth 10 mijë persona që marshuan për tetë kilometra në rrugët e qytetit. U shënuan dhe përplasje fizike me policinë kur manifestuesit mbërritën pranë selisë së televizionit shtetëror, ku disa deputetë të opozitës, që hynë për të dorëzuar një deklaratë për shtup. Por ata u larguan me dhunë para telekamerave. Pamje këto që bënë xhiron e rrjeteve sociale. Protestat për ligjin e punës u shtohen atyre për reformën e gjyqësorit, për kontrollin e mediave, reformën elektorale dhe kushtëzimeve për organizatat jo qeveritare dhe universitetet.
Por dhe sheshe të tjera europiane bëhen skenë protestash. Si në Poloni ku jot ë gjithë janë dakord me linjën e ndjekur nga qeveria e “ Të drejtës dhe Drejtësisë”.
Ndodh në Rumani ku një qeveri e cilësuar si e papërshtatshme, dhe sipas shumë kritikëve shumë e korruptuar, pritet të marrë drejtimin e Bashkimit Europian për gjashtë muajt e ardhshëm.
Ndodh në Bullgari kundër shtrenjtësisë së jetesës.
Për sa i përket Ballkanit ai mbetet në një situatë shumë të tensionuar në rrezik shpërthimi, me Bosnjën nën trysninë e flukseve të emigrantëve që arrestohen shpesh duke përdorur forcën, në kufi me Kroacinë.
Për momentin cdo gjë duket e qete në vende të tjera si: Gjermani, Skandinavi, republikat Baltike etj. Por në vitin që po troket, me zgjedhjet europiane në prag, nuk mund të përjashtohen protagonizma të rinj në sheshe, me shpresën që në një rast të tillë, protagonistët e vërtetë të jenë demokracia dhe qytetaria. Jo dhuna. /abcnews.al