Rama: Na ofruan para për të ndërtuar kamp për afganët por nuk pranuam, pse kemi më shumë gra ministre

schedule08:13 - 11 Tetor, 2021

schedule 08:13 - 11 Tetor, 2021

Në një intervistë për median gjermane kryeministri Edi Rama ka zbuluar se qeverisë shqiptare i janë ofruar para për të ndërtuar kamp për refugjatët por nuk ka pranuar duke treguar edhe arsyet. Rama tha se kanë ndjekur të njëjtën strategji që u vu në zbatim për qytetarët shqiptarë, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit. Numri 1 qeverisë foli edhe për arsyet pse në kabinetin e tij ka më shumë ministre gra. Ai tha se kjo nuk është ndjekur si strategji për të pasur ekipin me më shumë gra, por një kabinet sa më të mirë.

Intervista

– Kryeministër Rama, ju po vini nga Sllovenia, nga samiti i BE -së dhe praktikisht kishte shtrëngime duarsh dhe fjalë të këndshme. Jeni të zhgënjyer?

Kryeministri Edi Rama: Jo, sepse në të vërtetë nuk prisja asgjë tjetër. Në të kaluarën do të ishim të zhgënjyer, por kemi mësuar se Evropa nuk është në formën e saj më të mirë dhe ne e kuptojmë këtë, prandaj thjesht vazhdojmë punën tonë. Siç e dini, ne duhet të krijojmë patjetër një Shqipëri që mbart të njëjtat vlera dhe standarde si Bashkimi Evropian. Dhe jo sepse Berlini, Parisi, Brukseli na detyrojnë, por sepse kjo është ajo që ne do duam për fëmijët tanë.

Angela Merkel është një nga mbështetëset tuaja dhe është për zgjerimin e BE -së. Do t’ju mungojë ajo?

Kryeministri Edi Rama: Unë besoj se Angela Merkel do t’i mungojë Gjermanisë e të gjithë Evropës, madje krejt botës dhe mendoj se edhe rajonit tonë do t’i mungojë… Ndoshta edhe për shkak të së kaluarës së saj ajo ka një vizion të Ballkanit. Ajo e di se çfarë do të thotë të dalësh nga diktatura, nga një diktaturë komuniste. Dhe sigurisht ajo ka bërë gjithçka në mundësitë e saj për Evropën, duke hapur derën për refugjatët. Sidoqoftë, pas krizës së refugjatëve, as Gjermania as  Bashkimi Evropian nuk janë më të njëjtët.

-Ju ofruat një vend strehimi për katër mijë refugjatë afganë dhe ata nuk jetojnë në kampe, por në hotele në plazh. Sa gjatë do të qëndrojnë atje?

Kryeministri Edi Rama: Kampet e refugjatëve janë çnjerëzore. Mendoj se ato janë një nga arsyet pse komunitetet përreth trazohen, kur njerëzit i shohin refugjatët në afërsi të tyre të mblidhen nëpër kampe. Kur vijnë shumë njerëz, ndonjëherë duhen ndërtuar edhe kampe, por në rastin tonë ne morëm një vendim. Edhe pse na u ofruan para për të ndërtuar kamp për refugjatët, refuzuam. Në këtë rast bëmë të njëjtën gjë që bëmë për njerëzit tanë, kur vendi ynë u godit nga tërmeti i tmerrshëm më 26 nëntor 2019.

– Le të vijmë tek kabineti juaj i ri, 12 ministre nga 17 ministra gjithsej. A janë gratë shqiptare shumë më të mira se burrat?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, unë besoj se gratë gjermane janë më të mira se burrat gjermanë, nuk ka dyshim për këtë dhe Angela Merkel është shembulli më i mirë. Së dyti, dua të them se nuk ishte aspak qëllimi im kjo gjë. Nuk është një kabinet që ka një përqindje kaq të lartë të grave për të bërë përshtypje në të gjithë botën, duke diskriminuar burra. Në kabinetet e mia të mëparshme, në të parin dhe në të dytin, ndarja shumë e ekuilibruar gjinore ishte e qëllimshme. Këtë herë doja thjesht kabinetin më të mirë. Dhe rasti e solli të ketë më shumë gra sesa burra.

m.v/Abcnews.al