I akuzuar për 6 vjedhje në Vlorë, arrestohet 27-vjeçari, në kërkim bashkëpunëtori i tij

schedule10:03 - 10 Tetor, 2021

schedule 10:03 - 10 Tetor, 2021

Një 27-vjeçari identifikuar si Kristi Lushnjani, është arrestuar nga policia pasi akuzohet për 6 vjedhje të ndodhura në Vlorë. Ai është vënë në pranga teksa u kap duke vjedhur një automjet në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë.

Ndërkohë në kërkim është shpallur bashkëpunëtori i tij Edvin Çuni, 35 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, banues në Vlorë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Përsëritësit”, zbardhen dhe dokumentohen 6 vjedhje të ndodhura në qytetin e Vlorës. Arrestohet në flagrancë autori i dyshuar, i shpallur në kërkim më parë për veprën penale “Vjedhja”. Shpallet në kërkim bashkëautori dhe vijon puna intensive për kapjen e tij. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale disa prej sendeve të vjedhura nga këta shtetas.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, evidentimin dhe kapjen e autorëve, si rezultat i një pune intensive dhe të mirëorganizuar, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisatiatin e Policisë Vlorë finalizuan operacionin policor të koduar “Përsëritësit”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi K. L., 27 vjeç, banues në Vlorë, ndaj të cilit u bë gjithashtu dhe ekzekutimi i urdhrit të Prokurorit, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, e ka dënuar me 8 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja”.

Si dhe u  bë shpallja në kërkim e shtetasit E. Ç., 35 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, banues në Vlorë. Arrestimi i shtetasit K. L, u bë pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke vjedhur në automjetin e një shtetasi, në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë.

Nga hetimet e kryera dhe provat e siguruara ka rezultuar se ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin E. Ç, janë autorët e dyshuar të 5 vjedhjeve të ndodhura më parë, në qytetin e Vlorës, konkretisht vjedhjes së një automjetit tip “Volkswagen” në pronësi të shtetasit M. Dh, vjedhjes së disa sendeve personale dhe një shume parash në automjetin e shtetasit A. K, veglave pune në automjetin e shtetasit K, Q, sendeve personale dhe një shume parash në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarsia” si dhe vjedhjes së disa sendeve personale dhe një shumë parash në automjetin e shtetasit E. M.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim”, njofton policia. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!