Në një homazh nostalgjik për një komb që tashmë nuk ekziston, Mali i Zi ka vendosur një monument të ish-udhëheqësit jugosllav, Josip Broz Tito në kryeqytetin e tij Podgoricë.
Statuja prej bronzi, që tregon ish-liderin komunist të veshur me uniformë ushtarake, u vendos në një park me iniciativë të bashkisë dhe një grup veteranësh komunistë të Luftës së Dytë Botërore. Gjatë ceremonisë, dhjetëra admirues dhe veteranë të Titos tundnin flamurin e ish-Jugosllavisë, si dhe këndonin këngë revolucionare.
Tito gjatë udhëheqjes së tij u kritikua si një diktator totalitar, por shumë e shikonin edhe si një sundimtar dashamirës, i cili arriti të ruante një bashkëjetesë paqësore të etnive të ndryshme. Një sondazh i Gallup në 2016 tregoi se 65% e malazezëve besonin se shpërbërja e Jugosllavisë në vitet 1990 ishte e gabuar.
Tv Klan