Kryeministri Edi Rama ka ndarë pasditen e sotme një foto ku shfaqet në krah të presidentit francez Emanuel Macron gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor në Brdo të Sllovenisë . Rama ka ndarë edhe fjalën e tij të plotë gjatë këtij samiti ku çështjet kryesore ishin vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut dhe kërkesa për të njohur Ballkanin e Hapur.
Fjala e plotë e kryeministrit
Ja ku jemi. Të mbledhur 18 vjet pas samitit të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor në Selanik; koha që i duhet një bebeje për t’u bërë votues, pjesëtar me të drejta të plota i një bashkësie politike. Nëse i krahasojmë shënimet mes dy samiteve, mund të thuhet pa frikë se koha ka ndalur. Ngjashmëria mes fjalëve të shkruara atëherë dhe atyre sot është mbresëlënëse. Me një përjashtim. 18 vjet më parë fjala “zgjerim” ishte kredoja tingëlluese e të ardhmes. Sot e njëjta fjalë është bërë jehonë e ndrojtur e të shkuarës. Po njësoj, politika e re e zgjerimit duket sikur i bën jehonë politikës së vjetër të kufizimit. Por, “është ajo që është”, siç do të thoshte zotëruesi i mëparshëm legjendar i Zyrës Ovale. Dhe unë nuk do të bezdis asnjë këtu me liturgjinë e ankesave që të gjithë ju i dini mirë.
Përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të larë hesapet me të kaluarën e qepur këmba-këmbës pas saj, në emër të një të ardhmeje të ndritur europiane, nisën rreth 15 vjet më parë me statusin e vendit kandidat. Vendi shkoi aq larg në ato përpjekje, sa ndërroi edhe emrin. Po prapëseprapë nuk mjaftoi për të nisur as dhe një Konferencë Ndërqeveritare në Zoom me BE-në, drejt një procesi integrimi që mund të marrë edhe 18 vjet të tjera, përpara se sa anëtarësimi i plotë në BE të shfaqet si një fund i lumtur i mundshëm (që i bie në total 33 vjet nga marrja e statusit të vendit kandidat ose, me fjalë të tjera, mosha e Jezu Krishtin të gozhduar në kryq).
Unë i kam ndarë tanimë disa mendime rreth kësaj pune me bashkëqytetarët e mi. Siç ju mund ta kuptoni, kjo nuk është dhe aq e lehtë. Shqiptarët janë bashkësia më pro-europiane rretherrotull Europës, si rrjedhojë e një të kaluare të zymtë izolimi ekstrem nga Imperializmi Amerikan dhe Social-Imperializmi Sovjetik. Pas rënies së komunizmit, ne mundëm më në fund të zgjedhim lirisht për herë të parë në histori, se me kë donim të bashkoheshim. Dhe zgjodhëm njëzëri Bashkimin Europian. Është disi e dhimbshme për shqiptarët të dëgjojnë prej Europës përsëri e përsëri që, po, sigurisht, Shqipëria i ka bërë detyrat e saj, por prapëseprapë të se shohin BE-në që ata aq shumë e adhurojnë, fatkeqësisht mund të mos e mbajë fjalën e dhënë. Është ajo që është.
Ne ishim vendi i fundit që u qëndruam idealeve të komunizmit edhe pasi çdo vend tjetër në Europë i kishte braktisur ato. Mbase do të jemi shteti i fundit që do t’i qëndrojmë idealeve të BE-së edhe kur, kushedi, anëtari i fundit i Unionit do të ketë ndaluar së besuari në to. U kam thënë bashkëqytetarëve të mi që ne duhet të mësohemi me premtimet tuaja të pambajtura, pa e humbur pasionin, vullnetin, horizontin e transformimit të Shqipërisë në një shtet plotësisht funksional, mbi parimet dhe standartet e Bashkimit Europian. Këtë ia kemi borxh fëmijëve tanë, jo Brukselit, jo Berlinit, jo Parisit.
Natyrisht, shumë më e lehtë ta thuash se sa ta bësh. Ja, provojeni për një çast, si udhëheqës të zgjedhur nga njerëzit që jeni të gjithë, se sa kollaj mund të mbijetohet politikisht në rrethanat surreale që ky proces, prej kohësh totalisht i paparashikueshëm, krijon – ku dalja në pritë e Bullgarisë së fundmi, shënon vetëm kthesën më të re kreative në këtë film, jo të vetmen.
Me keqardhje e them që unë e kam humbur besimin se Bullgaria do të jetë në gjendje ta lirojë rrugën shpejt, sepse miqtë tanë bullgarë duken të zënë në kurthin e zjarrit që e ndezën për të ngrohur votuesit me flakët e një të kaluare plot lavdi. Ndoshta atyre votuesve as që u bëhet vonë që kanë marrë peng dy shtete, të cilat sipas të tëra hesapeve janë të pafajshme dhe krejt në rregull me detyrat. Por ama duhet t’i bëhet vonë BE-së, sepse po humbet fytyrën në sytë e popujve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Tanimë unë mundem vetëm të shpresoj, që kjo bllokadë pa sens të mos kthehet në një histori pa fund.
Sidoqoftë më duhet megjithatë t’ju pyes:
Sa gjatë duhet të presë ende Shqipëria për ndezjen e dritës jeshile në këtë proces, i cili thuhet se bazohet mbi meritën, por që mesa duket tekefundit vetëm mbi meritën nuk bazohet? Por nuk do ta shtjelloj këtë pikë, sepse ka të ngjarë që tamam si Vladimiri, i cili nuk mund të ndahet nga Estragoni tek “Duke pritur Godonë”, as Shqipëria s’mund të ndahet nga Maqedonia e Veriut në këtë version post-faktual të procesit të integrimit europian.
Po si i bëhet për shembull, për ekzistencën e 2 milionë qytetarëve të Kosovës ende të kyçur brenda në vendin e tyre, disa vjet pasi vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave? A nuk është surreale që ata mund të udhëtonin lirisht jashtë vendit të tyre, kur ishin nën një regjim brutal i cili u rrëzua me bombat e SHBA dhe BE, ndërsa sot ata janë të kyçur brenda nga vetë çlirimtarët e tyre?
Meqë ra llafi BE-ja ka liberalizuar vizat për 52 milionë njerëz jashtë hartës së ardhshme të Unionit dhe jo vetëm përpara, po edhe pasi ajo vetë ka deklaruar, publikisht, se Kosova i përmbushi të gjitha kriteret teknike; madje përmbushi edhe një kriter pa lidhje, që iu kërkua shtesë, demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. E di e di, është ajo që është.
Gjithësesi sido të shkojë saga e zgjerimit, ka megjithatë hapa konkretë që mund të hidhen për t’i bërë vendet tona pjesë të BE-së, përveçse në emër. Mbase BE-ja nuk e mban dot për shumë kohë premtimin për zgjerimin. Por nëse vendet e Ballkani Perëndimor nuk shkojnë dot në BE, BE-ja mund të vijë në Ballkanin Perëndimor. Dhe mund ta bëjë këtë në rrugën që ajo ka bërë vetë, qysh në krye të herës, duke ndjekur metodën funksionaliste të etërve të saj themelues.
E para, BE-ja duhet të tregojë që thotë atë që mendon dhe mendon atë që thotë, duke e mbështetur Ballkanin Perëndimor përmes Planit Ekonomik të Investimeve. Plani duket vërtetë shumë ambicioz, ndërsa modus operandi i deritanishëm për jetësimin e tij jo dhe aq – mos qoftë e thënë që edhe ky plan të zvarritet si integrimi europian. Një kujtesë këtu: Vendet tona kanë akses në 11 herë më pak fonde europiane për frymë, sesa fqinjët tanë anëtarë të Bashkimit Europian.
E dyta, BE-ja mund ta mbështesë rininë tonë, duke e përfshirë atë në të njëjtët mekanizma integrues në rrjetin e saj të arsimit të lartë, që më të mirët tanë të studiojnë në vendet e tyre. Universitetet tona mund të bëhen pjesë e strukturave dhe programeve të arsimit të lartë europian, të kenë diploma të përbashkëta e të sigurojnë për studentët tanë shtigje studimi të njëjta me ato të studentëve në vendet tuaja, që të rinjtë e vendeve tona të mos e ndjejnë nevojën të ikin patjetër jashtë për studime, po edhe të kenë shumë më tepër shanse pas studimeve në atdheun e tyre.
E treta, BE-ja duhet ta mbështesë plotësisht Ballkanin e Hapur, që është një nismë e dakordësuar mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, për të mos lejuar që procesi vizionar i Berlinit të katandiset në hijen e vetvetes, e të kthehet në një tur samitesh të përvitshme nëpër Europë, të cilat përsërisin vetveten, njësoj siç përsërit ky samit atë të 18 viteve më parë, pa sjellë rezutate të reja të prekshme për njerëzit tanë. Ballkani i Hapur është një përpjekje inkluzive krejt gjenuine, për të realizuar në këtë jetë 4 liritë e BE-së në rajonin tonë, pa pritur për një jetë tjetër që të kemi integrimin e rajonit si një hapësirë lirie të plotë të lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve e kapitaleve. Nisma e Ballkanit të Hapur është e frymëzuar nga Procesi i Berlinit. Të dyja s’ka pse i kundërvendos askush me njëra-tjetrën përmes qasjesh patronaliste apo deklarimesh konfuze. Ballkani i Hapur reflekton një nivel të ri pjekurie, që vendet e kanë fituar përmes Procesit të Berlinit dhe një vullnet për ta marrë në dorë të ardhmen e përbashkët, pa pritur “takimet me prindër”, si edhe duke shmangur frenimin prej një vetoje këtu e të një vetoje atje, nga një vend a një tjetër, që në të drejtën e vet mund të mos e dëshirojë të njëjtën shpejtësi integrimi rajonal.
Ne thjesht duam të punojmë pa u ndalur për të ardhmen, pa qenë të detyruar të varemi nga rruga e vjetër problematike e krijimit të konsensusit mes të gjithëve, për çdo hap që duam të hedhim; kjo rrugë na kthen në një karikaturë të Këshillit Europian. Ballkani i Hapur është një mekanizëm konkret, në dispozicion të çdo vendi që dëshiron ta përdorë dhe i hapur për përmirësime, i cili do të përfitonte nga mbështetja e plotë e BE-së, për të përfshirë kontributin konstruktiv të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
E katërta, BE-ja mund të bëjë gjënë e duhur për ne, duke mos e ndarë Ballkanin Perëndimor nga planet e veta të emergjencave, për përballimin e fatkeqësive të mëdha si pandemia apo për adresimin e krizës së saposhfaqur energjitike, e cila është një sfidë për të gjithë këtu dhe mund të rezultojë në humbjen shkatërrimtare të shumë viteve përpjekje transformuese në rajonin tonë ende vulnerabël. Le të shpresojmë që në këtë rast të ri krize madhore që na prek të gjithëve, qytetarët tanë nuk do të lihen nga BE-ja si peshq pa ujë, ashtu siç ndodhi kur na latë jashtë skemës së shpërndarjes së dozave të para të vaksinave, duke e detyruar rajonin tonë, që në një luftë të mirëfilltë për mbrojtjen e jetës të mbështetet tek të shumëpërfolurit aktorë të tretë, shprehimisht Kina, Rusia apo Turqia nëse e doni edhe me emra.
E fundit, ju mund të na ndihmoni duke i besuar më shumë punës rigoroze, të ndershme dhe ndonjëherë irrituese të vetë Komisionit Europian, i cili garanton vlerësimin më objektiv të mundshëm të përparimit apo të boshllëqeve tona. Por e di që kjo është e tepërt për t’u kërkuar, kështu që po ndalem me kaq, për t’ju falënderuar të gjithëve megjithë zemër, që na ftuat këtu. Në fund të ditës, Bashkimi Europian nuk është më i miri, por më të mirë se Bashkimi Europian nuk ka. Kjo është edhe arsyeja pse ne pajtohemi plotësisht me deklaratën përfundimtare të samitit, edhe pse askush nuk na pyeti për mendimin tonë përgjatë hartimit të saj. Është ajo që është.
/Abcnews.al