11 atentate të ndodhura në vend që prej fillimit të vitit nuk janë zbardhur ende dhe autorët lëvizin të lirë. Bilancin e bëri gazetari i Abc Ermal Vija në emisionin “Log” të Endri Xhafës.
“11 atentate janë të pazbardhura, që prej fillimit të vitit datojnë si atentate. Puna e policisë është të zbulojë vrasje dhe të vërë para përgjegjësisë autorët. Janë të paktën 21 atentate ku më shumë se 11 janë të pazbardhura. Kemi Rastin e Bardhok Pllanajt ende skemi autor. Vrasjen e 2 ditëve më parë në Elbasan, po pa autorë. Elbasani është një patate e nxehtë dhe duhej të mbahej në mbikqyrje, duket të ishte ngritur në këmbë policia për të mbajtur rendin dhe qetësinë”, tha Vija.
“Fundi” i Ardi Veliut në krye të drejtimit të policisë së shtetit, sipas Vijës ka ardhur pas vrasjes së nënkomisarit Saimir Hoxha në Lezhë, ngjarje që nxori në pah mungesën e organizimit të policisë.
“Ngjarje tronditëse është dhe vrasja e efektivit në Lezhë. Duket sikur ka ardhur në mënyrë aksidentale por janë hetime që po kryhen, çka do të thotë se policia duhet të kishte marrë masa. A duhet të shkonte ai oficer i vetëm apo të ishin organizuar më mirë për këtë operacion? Policët duhet të ketë një plan masash në momenti që ndërmarrin një operacion. Është një lidership në polici që duhet të ngarkonte të gjithë drejtuesit e qarqeve. Duhet të njoftoheshin jo vetëm 3 oficerët e policisë”, shtoi më tej gazetari. be.k/Abcnews