Skandali i “Pandora Papers”, Weber: Kemi nevojë për një FBI europiane, të rishikohet lista e zezë

schedule16:40 - 5 Tetor, 2021

schedule 16:40 - 5 Tetor, 2021

Pas publikimit të hetimit të “Pandora Papers”, kreu i partisë popullore europiane Manfred Weber ka bërë thirrje për më shumë përgjegjësi kundër parajsave fiskale dhe miratimin e ligjeve më të rrepta, duke nënvizuar nevojën për zhvillimin e mëtejshëm të Europol.

“Ne kemi nevojë për një lloj FBI-je europiane në zonën tonë për përgjegjësinë mbi autoritetet tona hetimore. Ne duhet të zhvillojmë më tej Europolin në një lloj autoriteti i cili më pas të shtojë edhe juridiskionet hetimore.

Autoritetet duhet të jenë në gjendje të gjykojnë në mënyrë neutrale atë që po ndodh në vendet e tyre. Vetëm atëherë ligjet tona do të kenë fuqi reale dhe vetëm atëherë do jemi në gjendje të luftojmë këtë çështje përmes një plani afatgjatë”, u shpreh ai për ZDF.

“Në përgjithësi nuk ka përparim të mjaftueshëm në BE kundër pastrimit të parave dhe evazionit fiskal. Ligji tatimor është një kompetencë kombëtare dhe shtetet anëtare të BE-së nuk janë mjaftueshëm të gatshme për të bashkëpunuar.

Ajo që njihet si lista e zezë ku BE klasifikon vendet dhe rajonet si parajsa fiskale, nuk është mjaft  e saktë. Kjo është arsyeja pse duhet të kemi një rishikim të kësaj liste dhe gjithashtu të vendosen sanksione të qarta kundër vendeve në të cilat përdoren format e mashtrimit. Vendet që nuk kanë bashkëpunuar me autoritetet tatimore nuk duhet të kenë më qasje në zonën financiare të eurozonës ose qasje në Evropë përmes vizave, ” shtoi ai.

Duke iu referuar kryeministrit çek Andrei Babis, i cili gjithashtu thuhet se është i implikuar në dosjet e Pandora Papers, ai shtoi se ky është një rast i qartë ku europianët duhet të jenë më të ashpër dhe më të qartë në raportet e tyre. m.v.//Abcnews.al