Policia e Lezhës, Kurbinit dhe forcat speciale RENEA kanë finalizuar një operacion për goditjen e lojrave të fatit, aktivitet që ndalohet me ligj.
Uniformat blu bëjnë me dije se në aksin rrugor Milot-Thumanë, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shtetasit Gj. P., që menaxhohej nga shtetasi A. K., kanë gjetur dhe sekuestruar 32 makineta që shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit dhe 2.500.000 lekë të rinj.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit E. L., klient në lokal, i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë, me krehër me 8 fishekë, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i plotë:
Vijon operacioni policor “Fati i lojërave”.
Operacioni i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, Komisariati i Policisë Kurbin dhe forcat speciale RENEA.
Goditet një tjetër rast i zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, arrestohen në flagrancë pronari dhe administratori i lokalit.
Në pranga edhe një shtetas tjetër që u kap me armë zjarri në ambientet e lokalit.
Sekuestrohen armë zjarri pistoletë, municion luftarak, 32 makineta dhe një sasi e konsiderueshme parash.
Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe nga informacionet e adresuara nga qytetarët, për ushtrimin dhe organizmin e lotarive dhe basteve sportive pa leje, vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra fati, fshehje të ardhurash dhe për shtetas që mbajnë armë zjarri, strukturat policore të DVP Lezhë dhe ato të Komisariatit të Kurbinit, të mbështetura nga forcat speciale RENEA, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në disa lokale dhe ambiente të ndryshme në Kurbin, Milot dhe Lezhë.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në vijim të operacionit “Fati i lojërave”, në aksin rrugor Milot-Thumanë, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shtetasit Gj. P., që menaxhohej nga shtetasi A. K., kanë gjetur dhe sekuestruar 32 makineta që shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit dhe 2.500.000 lekë të rinj.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit E. L., klient në lokal, i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë, me krehër me 8 fishekë, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar kanë vënë në pranga shtetasit:
-Gj. P., 29 vjeç, banues në Mamurras, pronari i lokalit dhe A. K., 41 vjeç, menaxheri i lokalit, banues në Thumanë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Pastrimi i produkteve të veprës ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
-E. L., 29 vjeç (klient në lokal), për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme.
Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në të gjithë qarkun dhe në këtë kuadër Policia e Lezhës fton cilindo të denoncojë në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme, duke iu siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.
g.v/abcnews.al