Instagram, Facebook dhe WhatssApp u bllokuan për 6 orë, çfarë shkaktoi rënien e rrjeteve sociale

schedule11:08 - 5 Tetor, 2021

schedule 11:08 - 5 Tetor, 2021

Është zbuluar shkaku që çoi në mbylljen universale prej 6 orësh të rrjeteve sociale Facebook, Instagram dhe WhatsApp në të gjithë botën. Nga pasditja e së hënës deri pak pas mesnate, miliarda përdorues u përpoqën të kishin akses në të tre platformat por pa sukses.

Rezultati ishte një kolaps total. Humbja financiare u reflektua në çmimin e aksioneve të Facebook, i cili pësoi humbje të mëdha prej 5%.  Zyrtarisht, menaxhimi i grupit të Facebook, Instagram dhe WhatsApp, ka përjashtuar mundësinë e  sabotimit dhe të një sulmi kibernetik nga hakerat, si shkaqet e rënies së 3 platformave.

Inxhinierët e softuerëve të Facebook mbrëmjen e së hënës i atribuuan  bllokimin “ndryshimeve problematike të konfigurimit” te serverët e tyre.

“Njerëzit dhe bizneset në të gjithë botën varen nga ne për të komunikuar,” tha grupi në një postim, pa specifikuar se kush i bëri ndryshimet, ose nëse ishte një azhurnim i planifikuar.

“Ne kërkojmë ndjesë,” thanë teknikët e kompanisë, platformat e të cilëve përdoren nga 3.5 miliardë njerëz në mbarë botën. Më parë, punonjësit e Mark Zuckerberg, të cilët kërkuan të mbeteshin anonim,  rrëfyen për Reuters se ndërprerja ishte shkaktuar nga një gabim i brendshëm në menaxhimin e internetit në sistemet e platformave.

Problemi u komplikua nga fakti se ndryshimi te serverët e kompanisë nënkuptonte që mjetet softuerike të vetë teknikëve nuk ishin në dispozicion për të diagnostikuar dhe korrigjuar problemin, sipas të njëjtave burime. Problemi ishte aq i përhapur dhe serioz saqë qindra punonjës në selinë e grupit Facebook nuk kishin as qasje në zyrat e tyre, pasi pasaportat elektronike për të hyrë në ndërtesë nuk njiheshin, raporton abcnews.al

Gjithashtu, disa aplikacione digjitale si Workplace, të cilat përdoren nga punonjësit e grupit Facebook për të planifikuar evente dhe për të komunikuar me njëri -tjetrin, gjithashtu ishin jashtë përdorimit.

Madje shumë prej emaileve dhe celularëve të punonjësve ishin gjithashtu jashtë përdorimit.

Ndikimi i bllokimit të rrjeteve sociale për 3.5 miliardë përdorues është një fenomen i paimagjinueshëm. Dhe meqenëse Facebook gjithashtu vepron si një qendër për aplikacionet e tjera digjitale, rënia ka shkaktuar kaos në shumë raste.

Përveç  komunikimit, shumë njerëz varen nga Facebook për aspekte të tjera vitale të jetës së tyre të përditshme, të tilla si blerja dhe shitja e mallrave, kontrolli në distancë i pajisjeve të tyre shtëpiake, etj.

Edhe shpërndarja e ushqimit të gatshëm bëhet përmes mediave sociale, pasi shumë kompani mbështeten tek Facebook  për të reklamuar, ndërsa pranojnë porosi përmes WhatsApp dhe Messenger. Dhe, padyshim, bllokimi i tyre nga këto platforma, edhe për 5-6 orë, solli dëme të mëdha financiare.

Për vetë grupin Facebook, mbyllja e përkohshme ka një kosto të madhe. Aksionet ranë 4.9% në Bursën e Wall Street në 20 milion dollarë, duke ulur vlerën e kompanisë në 967 miliardë dollarë. Sa i përket themeluesit dhe kreut të kompanisë, Mark Zuckerberg, ai ka humbur 6 miliardë dollarë.

Tani, me një pasuri totale prej 121.6 miliardë dollarësh  nga 140 dollarë javën e kaluar – Zuckerberg është në vendin e 5 -të midis super-miliarderëve, pas Bill Gates. Sidoqoftë, Twitter pa dyshim renditet ndër “fituesit” e kolapsit të tre mediave sociale. Pasi për shkak të bllokimit të 3 mediave sociale, shumica përdorën Twitter.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!