Nga Erblina Mile
Shqipëria është në krizë energjitike për shkak të spekulimeve në këtë sektor. Eksperti Zef Preçi deklaron se duhet të merren masa që të mos rrënohet edhe më shumë shtresa e varfër e popullsisë. Sipas tij e gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e mbështetjes së disa bizneseve në vend dhe mosndëshkimit të abuzimeve.
“S’mund të ketë përveçse spekulimit efekt të menjëhershëm. Aktivizimi i drejtorisë së dogaave, ndëshkimi i abuzimeve në treg duhet të jetë diçka normale dhe të mos jetë një shtet që u shërben 20 oligarkëve,” thotë ai.
Eksperti i energjisë Eduard Elezi deklaron se në janar qytetarët do të përballen me rritje të ndjeshme të faturave të energjisë dhe kjo vjen si rezultat i keqmenaxhimit. Madje ai kërkon edhe dorëheqje të drejtuesve.
“Kjo problematikë është krizë menaxhimi sepse në të njëjtën periudhë brenda dy muajve është zbrazur liqeni duke shitur energji dhe shitja është bërë 20-30 euro. këtu duhet që organet të vëzhgojnë njëherë si ndodhi që erdhi në këtë krizë brenda ditës dhe çfarë duhet bërë,” shprehet ai.
Ditët e fundit në vend është konstatuar një rritje e ndjeshme e çmimit të naftës dhe gazit duke variuar nga 20 në 30 lekë. Ndërkohë që shoqata e hidrokarbureve deklaron se kjo situatë ka ardhur si pasojë e ndikimit në tregjet ndërkombëtare. Sesi do të jetë ecuria e çmimeve gjithçka pritet të vendoset pas mbledhjes së prodhuesve ndërkombëtare të naftës. Ata sugjerojnë që qeveria të rishikojë taksat në një litër naftë deri në stabilizimin e situatës. /abcnews.al