Veriu i Italisë është përfshirë nga moti i keq dhe me reshje të dendura shiu.
Mediat vendase bëjnë me dije se dy përrenj në rajonin e Ligurias kanë dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje në provincën e Savonës, ku është në fuqi alarmi portokalli, i cili sipas autoriteteve lokale, do të bëhet i kuq nga ora 14:00.
Autoritetet e Ligurias kanë këshilluar qytetarët të shmangin sa më shumë dalje dhe të bëjnë kujdes maksimal, ndërsa shkollat janë mbyllur.
Ndërkohë si pasojë e motit të keq autostrada mes Cuneo dhe Savona është mbyllur si një masë paraprake.
Gjithashtu, është pezulluar qarkullimi i trenave në linjën Savona-Torino për shkak të rrëshqitjeve të dheut. Rekordi i reshjeve të shiut është regjistruar në Montenotte Inferiore dhe në Savona, ku kanë rënë 400 milimetra shiu në vetëm 6 orë, një sasi e cila në disa pjesë të Italisë është e barabartë me reshjet e një viti./abcnews.al