Kosova dhe Serbia mbulojnë simbolet shtetërore në targat e automjeteve

schedule08:23 - 4 Tetor, 2021

schedule 08:23 - 4 Tetor, 2021

Kosova dhe Serbia nga dita e hënë (4 tetor) fillojnë vendosjen e letrave ngjitëse në targat e automjeteve që kalojnë në territorin e njëra-tjetrës. Ngasësit e automjeteve do të pajisen me këto letra ngjitëse gjatë kalimit të kufirit.

Kjo është pika e dytë e marrëveshjes që ndali tensionet trembëdhjetë ditëshe në dy pika kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë e Bërnjak.

Ajo parasheh vendosjen e letrave ngjitëse mbi simbolet shtetërore në tabelat e automjeteve, në vend të zëvëndësimit të tyre me targa të përkohshme.

Edhe kjo zgjidhje do të jetë e përkohshme, pasi pika e tretë e marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian më 30 shtator, parasheh që më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grupi Punues do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Fillimi i vendosjes së letrave ngjitëse pason vendosjen e pjesëtarëve të KFOR-it më 2 tetor, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak dhe tërheqjes së protestuesve serbë të cilët i kishin bllokuar rrugët që çojnë në këto dy pika menjeherë pasi aty u vendosen njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh shefi i delegacionit kosovar në Bruksel, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova tashmë ka të gatshme 300 mijë pako me nga katër letra ngjitëse që do të fillojnë t’ua vendosin veturave nga Serbia, që nga 4 tetori.

Edhe zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë konfirmoi përmes një njoftimi më 2 tetor se që nga dita e hënë, Serbia do të fillojë me regjimin e vendosjes së letrave ngjitëse në targat e Kosovës.

Si arriti çështja e targave të nxisë tensione?
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë më 2011, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Me këtë dokument, targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si PR (Prishtinë), GL (Gjilan) KM (Mitrovicë), janë hequr. Domethënë, automjetet me targa të tilla është dashur të regjistrohen sërish me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral – KS (Kosovë).

“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën shtatë të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

Por, pavarësisht saj, në katër komuna në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe, qytetarët kanë vozitur makina me targa të qyteteve në Kosovë, të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Marrëveshja teknike për lirinë e lëvizjes e vitit 2011, është finalizuar në Bruksel më 14 shtator, 2016, kur Kosova ka rënë dakord që të zgjasë vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet.

Ky afat përfundoi në mesin e muajit shtator, kur Qeveria e Kosovës vendosi që përveç ndalimit të këtyre tabelave, të vendosë edhe masën e reciprocitetit për heqjen e tabelave me regjistrim të Serbisë për automjetet që hyjnë në Kosovë dhe vendosjen e tabelave të përkohshme.

Kjo masë ishte zbatuar nga Serbia për vite me radhë për automjetet me regjistrim të Kosovës që hynin në territorin serb.

Duke akuzuar Prishtinën për shkelje të dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar se problemi nuk është vetëm me targat KS, por “edhe me targat nga Serbia qendrore”.

Me të filluar zbatimin e këtyre masave nga Qeveria e Kosovës më 20 shtator, serbët bllokuan rrugët në çojnë në pikat kufitare në veri, njësitë speciale të policisë u vendos në këtë pjesë, ndërsa tensionet mes dy vendeve u përshkallëzuan.

Bashkimi Evropian u vu në lëvizje për të zgjidhur situatën dhe pas negociatave të zhvilluara me dy delegacionet, atë të Kosovës dhe Serbisë, më 30 shtator në Bruksel palët u pajtuan për zgjidhjen e përkohshme të kësaj çështjeje.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha se targat ‘KM’ nuk do të ekzistojnë pas 21 prillit 2022.

Marrëveshja për letrat ngjitëse nuk ishte zbatuar

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për vendosjen e letrave ngjitëse në targa nga 2016 nuk ishte zbatuar asnjëherë.

Ish-ministrja për dialogut dhe atëbotë shefe e ekipit negociator të Kosovës, Edita Tahiri, më 2018 kishte thënë se “arsyeja pse nuk ka filluar zbatimi qëndron ne faktin se Kosova është vonë me procedurat administrative për prodhimin e letërngjitëseve”.

Ajo kishte përmendur edhe zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, dhe zgjedhjet në Serbi si arsye e vonesave.

“Në këtë rast, ne jemi vonë në zbatimin e marrëveshjes, dhe Serbia ishte gati për këtë”, kishte deklaruar Tahiri.

Gazmir Raci ka qenë pjesë e ekipeve të delegacionit të Kosovës në kohën kur ishte arritur marrëveshja më 2016.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë se marrëveshja e vitit 2016 nuk u zbatua, fillimisht sepse kishte disa procedura burokratike tenderuese sa i takon letrave ngjitëse për tabela, ndërsa pastaj sipas tij, qeveria pasuese (e ish-kryeministri Ramush Haradinaj) nuk ishte marrë me zbatimin e marrëveshjeve të dialogut.

Ai tha se gjatë bisedimeve, në kuadër të Grupit Punues që do të synojë zgjidhjen e përhershme të kësaj çështjeje, Kosova duhet të insistojë që të hiqen edhe letrat ngjitëse për tabela.

“Në të ardhmen, pas gjashtë muajve, Kosova nuk duhet të tolerojë më tabela ilegale dhe duhet të insistojë që të largohen nga përdorimi edhe fletët ngjitëse sepse ato do të krijojnë shumë probleme dhe vonesa në gjitha pikë kalimet kufitare”, tha Raci.

Opozita kundërshton marrëveshjen
Opozita në Kosovë ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurti se me marrëveshjen e 30 shtatorit ka pranuar ta trajtojë ndryshe veriun nga pjesa tjetër e Kosovës.

Në reagimin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), thuhet se “PDK-ja ka mbështetur vendimin e qeverisë për vendosjen e reciprocitetit në targa, por tërheqja e saj nga ky vendim kaq shpejtë dhe në këtë mënyrë është dekurajuese dhe tejet shqetësuese për zhvillimet e ardhshme”.

Edhe partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e ka kritikuar qeverinë për këtë marrëveshje.

“Në vend të shtrimit të sovranitetit e ligjshmërisë, sot Qeveria e Kosovës u tërhoq dhe dorëzoi këtë sovranitet tek një palë e tretë”, thuhej në reagimin e LDK-së.

Komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për përkushtim ndaj dialogut
Shtetet e Bashkuata dhe Bashkimi Evropian i kanë parë me shqetësim zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës. Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar tha më 30 shtator se ishte e rëndësishme që Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Ai po ashtu tha se Kosova ka pasur të drejtë të vendosë reciprocitetin, por Uashingtoni u befasua me mënyrë e zbatimit të këtij vendimi.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Escobar, që njëherësh është i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se ka ende shumë punë për t’u bërë dhe se varet nga vullneti politik i palëve.

Ndërsa pas tërheqjes së protestuesve dhe njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu më 2 tetor, i ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J.Giacobbe e quajti “përparim të mirë nga Kosova dhe Serbia” zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për zhbllokimin e dy pikave kufitare në veri të Kosovës.

“Prezenca e KFOR-it është e përkohshme, në dy javë ne presim që operacionet kufitare të kthehen në normalitet. Është koha për të shfrytëzuar këtë momentum dhe për t’u riangazhuar me zell në dialog”, tha Giacobbe.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka thënë më herët se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja platformë për të adresuar çështjet e hapura mes palëve.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka filluar në vitin 2011 në nivelin teknik, ndërsa në vitin 2012 ka kaluar në një nivel më të lartë – atë politik.

Rreth 30 marrëveshje janë arritur deri më tani, por shumë prej tyre nuk zbatohen në terren./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!