Tetori rozë, gazetarja e njohur rrëfen betejën e vështirë me kancerin, ministria apel: Merrni 30 minuta kohë

schedule09:47 - 1 Tetor, 2021

schedule 09:47 - 1 Tetor, 2021

Tetori është Muaji Kombëtar i Ndërgjegjësimit kundër Kancerit të Gjirit ndaj edhe është konsideruar si “Tetori rozë”. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka përcjellë një mesazh sensibilizimi për të gjitha gratë dhe vajzat që të marrin vetëm 30 minuta nga koha e tyre për të kryer vetëkontroll.

“Tetori është muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Ne gratë duke u kujdesur për familjen. Duke përmbushur detyrimet në punë dhe me angazhimet e tjera familjare e shoqërore, shpesh herë harrojmë një gjë shumë të rëndësishme: kujdesin për shëndetin tonë. Është detyra jonë të kujdesemi për fëmijët, familjen, prindërit dhe të afërmit. Ashtu sikurse është përgjegjësia jonë që në radhë të parë të mos neglizhojmë kujdesin për veten.

Pandemia ka pasur efektet e saj në jetët tona. Për fat të keq, duke krijuar vonesa në kontrollet rutinë për shëndetin, sidomos te gratë. Ndaj në këtë tetor rozë, do t’i lutesha çdo gruaje, të marrë vetëm 30 minuta nga koha e saj, të bëjë vetëkontrollin e gjirit dhe të kryejë mamografinë. Programi ynë i diagnostifikimit të hershëm të kancerit të gjirit ka siguruar mamografitë në çdo spital rajonal, nga veriu në jug dhe ky shërbim është falas”, shprehet ministrja.

Ndërsa gazetarja e njohur Rezarta Keçi ka rrëfyer betejën e saj me kancerin e gjirit, duke treguar sfidat e vështira me të cilat është përballur.

“Si gazetare radio-televizive kam luftuar me profesionalizëm për diagnostifikimin e hershëm dhe luftën e fortë kundër kancerit të gjirit. Ndërsa si Rezartë u dorëzova. U dorëzova jo nga frika por nga arsye të thella që lidhen me subkoshiencën time. E lashë pas dore. Ka qenë dashuria dhe vëmendja e miqve të mi më të ngushtë.

Ka qenë lufta frontale e ekipit të specializuar të mjekëve të Spitalit Onkologjik në Tiranë, të cilët morën masa të menjëhershme jo vetëm për të më diagnostifikuar, por edhe për ta luftuar kancerin e gjirit që ishte shfaqur në trupin tim. Jam mirënjohëse atyre. I jam mirënjohëse edhe vetes që zgjodha të mos plogështohem në krevat, përkundrazi zgjodha të bëj jetë aktive krahas luftës kundër kancerit të gjirit. Prandaj ti e dashur, ju të dashura që po më ndiqni, mos nguroni. Diagnostifikohuni për kancerin e gjirit, jo vetëm në muajin Tetor!”, shprehet ajo. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!